Aktuale
Biznesmeni që ndërton ‘Rrugën e Arbrit’ 60 mijë euro për lirimin: Nuk kam mashtruar, po më njollosni emrin
I arrestuar si pjesë e një skeme mashtrimi me TVSH-në së bashku dhe me 14 biznesmenë të tjerë, Paqsor Buzi, pronari i kompanisë që bën pjesë në ndërtimin e Rrugës së Arbrit ka dalë këtë të shtunë para gjykatës me pretendimin se ai nuk është i përfshirë në skemën e evazionit fiskal.
Në prononcimin e tij para gjykatës, ai ka deklaruar se shumicën e punëtorëve ai nuk e njeh dhe vetë personalisht nuk është i përfshirë në skemë. Buzi është shprehur i gatshëm gjithashtu që të japë një shumë prej 60 mijë eurosh si garanci pasurore për të dalë nga burgu.
“Kam kërkuar bashkëpunim me autoritetet. Unë ua shpejgova. Fatuat e shitblerjeve shkojnë në kantiere dhe shumicën prej punëtorëve nuk i njoh.
Kam 3 kantiere të hapura dhe nëse ndonjë prej atyre punëtorëve mund të më njihte si fytyrë atëherë le të më arrestonin. Në asnjë mënyrë nuk do lejoj që emri i të njolloset. Nuk di gjë fare se nga kanë ardhur këto fatura dhe janë shumë të vjetra,”- mësohet të jetë shprehur Buzi.
Prokuroria nga ana tjetër ndryshoi ‘mendje’ për 7 nga 15 biznesmenët e arrestuar për skemën e mashtrimit, duke kërkuar për ta burg me afat deri në 20 ditë, pasi shumë prej biznesmenëve pretendonin se janë të sëmurë ose kanë familjarë në gjendje jo të mirë shëndetësore.
15 biznesmenët u arrestuan më 4 shtator pas urdhrit të Prokurorisë në sajë të operacionit “Informaliteti” dhe akuzohen se kanë kryer evazion fiskal duke i shkaktuar një dëm prej miliona eurosh shtetit.