Aktuale
Biznesi i familjes Istrefi sërish fiton ankandin për pronat tek Ura e Gurit

Tash e dhjetë vjet në afërsi të Urës së Gurit në Vushtrri, funksionon një biznes privat.
Ndonëse, kjo hapësirë është publike dhe gjendet fare pranë këtij monumenti kulturor ajo i jepet në shfrytëzim familjes Istrefi.
Këtë vit, nga ankandi që u mbajt nga Komuna e Vushtrrisë, përfitues doli Agron Istrefi, vëllai i ish-drejtorit të Urbanizmit në këtë komunë, Sami Istrefit, raporton KTV.
Për këtë, Adnan Lahu, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Vushtrri thotë që i njëjtë i ka plotësuar kushtet për të qenë fitues.
Mirëpo, sipas tij, i mbetet Kuvendit Komunal që të vendosë nëse Agron Istrefi do të jetë shfrytëzues i kësaj prone.
Këtë radhë, kontrata do të ketë jetëgjatësi prej 20 vjetëve e qiraja është rritur në 600 euro. Mirëpo, Lahu shton se janë caktuar edhe disa kushte shtesë që duhet të plotësohen nga përfituesi.
Lahu në mes të tjerash ka thënë që Agron Istrefi ka ofruar çmimin më të lartë për qira dhe prandaj ka qenë përfitues i ankandit.
Çmimi për qiranë mujore do të jetë 650 euro, që e ka ofruar Istrefi.
Kohavisioni mëson se kanë qenë vetëm edhe dy ofertues që çmimi ishte 612, respektivisht 625 euro.
Në 2009, shfrytëzues e kësaj hapësire u zgjodh një kompania e familjes Istrefi, pjesë e së cilës është edhe Sami Istrefi, ish-drejtor i Urbanizmit.
Ndërkaq, edhe instituti GAP ka raportuar për keqpërdorime nga Istrefi.
“Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunë të Vushtrrisë, Sami Istrefi e ka marr nën menaxhimin e tij hapësirën të Ura e Gurit duke e futur nën menaxhimin e tij edhe pjesën më të madhe të Urës. Në atë vend ai ka hapur një restorant, kurse rrymën të cilën e shfrytëzon për restorant e ka të lidhur në sistemin e ndriçimit publik të qytetit, përkatësisht në palestrën sportive”.
Biznesi në fjalë në atë kohë ishte edhe në pronësi të Bedri Istrefit, tash kryeshef ekzekutiv i Telekomit.
Po ashtu, përgjatë kësaj periudhe edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte protestuar kundër këtyre keqpërdorimeve dhe moskujdesit ndaj monumenteve kulturore.
