Aktuale
Bizneset reagojnë për dinamikën e punimeve në rrugën “Fehmi Agani” në kryeqytet

Pronarët e një sërë lokalesh që gjenden në rrugën “Fehmi Agani” në qendër të Prishtinës kanë mbajtur të martën një tubim përpara lokaleve të tyre, përmes të cilit ia kanë drejtuar Komunës kërkesën që të përshpejtojë kryerjen e punimeve në rrjetin e kanalizimit, sepse si pasojë e tyre u janë dëmtuar bizneset.
E krahas kësaj, ata po kërkojnë nga Komuna që t’i lirojë nga pagesa e taksave komunale për shfrytëzimin e hapësirave publike, përgjatë gjithë muajve sa kanë zgjatur punimet, duke thënë se nuk është e drejtë të paguhet kjo taksë përderisa ata janë dëmtuar për shkak të punimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ata i kanë dhënë dhjetë ditë kohë ekzekutivit komunal që të përfundojë punimet në krahun e rrugës nga janë lokalet e tyre, që njihen si “Kafet e vogla” në kryeqytet. Në të kundërtën, kanë thënë se do të ndërmarrin hapa të tjerë, për të realizuar kërkesat e tyre në mbrojtje të veprimtarive biznesore.
Përfaqësuesi i këtyre bizneseve, Veton Zuka, ka thënë se të gjitha lokalet në rrugën e “Kafeve të vogla” janë dëmtuar financiarisht gjatë dy muajve të fundit për shkak të punimeve që kanë filluar të bëhen në rrugë, që nga fillimi i muajit prill, për rregullimin e infrastrukturës nëntokësore.
Ai ka thënë se Komuna duhet të bëjë çmos që të përshpejtojë kryerjen e punimeve së paku në krahun e rrugës, ku janë lokalet e tyre, ndërkaq po ashtu ajo duhet të shqyrtojë mundësinë e lirimit nga taksat komunale për bizneset për shkak se ato janë dëmtuar tash e dy muaj.
