Aktuale
Bizneset pranë autostradës lihen të vetme pas përmbytjeve
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/auto_PERMBYTJE_71512119851.jpg)
Dita e parë e dhjetorit i gjeti disa biznese të autostradës Tiranë-Durrës nën ujë. Të gjendur të vetëm përballë zemërimit të motit, arma e tyre e vetme kanë qenë disa thasë rëre, ndërkohë që kanë parë me sytë e tyre të treten miliona euro investime nën pushtetin e ujit.
Askush nuk di t’ju thotë se pse situata e një viti më parë u përsërit sërish madje në përkeqësim.
Faji në këtë rast ka mbetur sërish jetim. Qeveria ka braktisur autostradën, duke ndjekur shiun që u zhvendos në Jug. Por ky duket të jetë edhe problem më i madh i qeverive, ndjekin shiun dhe jo problemin. Ai nisi në krye të herës dhe nëse do ishin marrë masa, ndoshta nuk do kishim një déjà vu si kjo.
Mëngjesi i 1 dhjetorit nuk nisi normalisht për bizneset përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Një pjesë e mirë e tyre kanë qëndruar gjatë gjithë natës nën vëzhgim të situatës, një pjesë tjetër kanë luftuar me prurjet masive të ujit që kanë marrë para ç’kanë gjetur dhe një pjesë tjetër po vendosnin para dyerve thasë me rërë për t’i dalë para një zemërate të re të kohës. Pronari i Shimani sh.p.k, një kompani që ka në objekt të saj shtypshkrimin, ka angazhuar të paktën 6 punëtorë për të mbushur thasë rëre.
“Po i dalim vetes për zot se nuk i dihet si shkon puna sot. Nga përmbytja e mbrëmshme nuk është se patëm shumë dëme, sepse pjesën e parë të prurjeve e kanë pritur bizneset para nesh (biznesi ndodhet përballë Megatek)”, – pohon ai.
Por nuk ka pasur të njëjtin fat biznesi i aluminit që ndodhet në Qafë Kashar.
Kjo është hera e dytë që ky biznes përballet me një situatë të tillë. Mjaft të hysh në ambientet e biznesit për të kuptuar se mbrëmja e së enjtes ka qenë me nota apokaliptike.
“Kjo është hera e dytë që Alumil sh.p.k përmbytet në këtë gradë, madje krahasuar me një vit më parë mendojmë se jemi më keq. Vjet nga vlerësimi që ju bë dëmit u dol në përfundimin se kostoja ishte 700 mijë euro, këtë herë themi se kjo është 30% më shumë se situata e vjetshme. Një pjesë e makinerive shpëtuan vitin e kaluar, por dyshojmë se do të kemi kaq fat edhe këtë vit”, – shprehet Enval Xhoxhi, personi përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë të kompanisë.
Pak më tutje, në një nga mjediset e fabrikës hasim grupin që ka ardhur nga kompania e sigurimit ku biznesi është siguruar. “Ne po bëjmë vlerësimet tona, por sado të jetë kontributi që ne mund të japim në këtë situatë, është e nevojshme që të ndërhyjë edhe shteti”, – shprehet njëra nga vlerësueset.
“Nuk kemi marrë asgjë deri më tani nga dëmi që duhet të na kompensohej sipas konstatimit të vitit të kaluar. Çështjen e kemi çuar në Prokurori, po ndiqet, por ende asgjë. Çdo gjë që shihet brenda, alumini që kemi gjendje tani është vetëm për skrap sepse në momentin që laget nga uji, ai hyn në një proces tjetër që nuk ka vlerë të zgjatemi, por thjesht nuk është për shitje. Na duhet një muaj e gjysmë që të kthejmë situatën në normalitet, ndërkohë që kemi të paktën 205 punonjës që nuk mund t’i lëmë në rrugë”, – shprehet Xhoxhi.
Teksa dalim nga Alumini sh.p.k i hedhim një sy autostradës. Gjithçka është në normalitet, a thua se një natë më parë nuk ishte një autostradë uji mbi të cilën mund të notoje, por kurrsesi të ecje me makinë. Pak më sipër, fiks tek mbikalimi i Rinasit, është vendosur një patrullë policie kurse karburanti në krahun e djathtë të rrugës është kthyer në një parkim luksoz. Janë të gjitha automjetet e zhvendosura aty, të koncesionarit të Mercedez, një tjetër biznes që është kërcënuar nga prurjet e mëdha të ujit. Gjithsesi duket se dëmet pranë tij kanë qenë më të moderuara.
Citypark është biznesi i dëmtuar sërish nga kjo përmbytje e radhës. Arian Mene, administrator i DEKA, pohon se këtë herë dëmi ishte sa 30% e një viti më parë, për shkak se kompania, e mësuar me atë që ndodhi një vit më parë, kur uji vërshoi menjëherë, mori masa një orë para se të ndodhte përmbytja. Por, Mene ankohet nga mungesa totale e vëmendjes së shtetit.
Natën kur klientët u bllokuan në katin e dytë të City Park, ndërhyrja erdhi vetëm pasi kishte rënë niveli i ujit. Një ditë më pas, askush nuk ishte paraqitur për të bërë evidentim të dëmit.
Bizneset thonë se janë hapur të tre rezervuarët në atë zonë dhe kjo shkaktoi dhe vërshimin masiv të ujërave.
Kur qeveria ndjek shiun dhe jo problemin, situata déjà vu çdo vit
Që qeveria ishte në gatishmëri, të paktën këto ditë kjo nuk do shumë për ta kuptuar nëse ke ndjekur itineraret e ministrave dhe administratorëve të kompanive publike kyçe në menaxhimin e emergjencës. Por ky është edhe ngërçi që duket se denoncon biznesi.
Qeveria ndjek shiun por jo problemin. Në rastin konkret, disa nga bizneset vlerësojnë se shkaktar për përmbytjen e tyre është mungesa e ndërhyrjeve në kanalizime në kohën e duhur. Historikisht, një problem i tillë është shfaqur pa shkuar tek mbikalimi i Rinasit. “Ne nuk dimë se cili është problemi që nga tre përmbytje të kësaj zone, dy prej tyre na kanë prekur kaq rëndë. Ndoshta ka të bëjë me çarjen e trafikndarjes që u bë dje në kushte emergjente, ndoshta ka të bëjë me mungesën e kanalizimeve.
Ne kurrsesi nuk do të donim që të rrezikohej jeta e njerëzve dhe të mos bëhej ndërhyrja në trafikndarëse. Kjo absolutisht që jo. Por zgjidhja nuk gjendet në momentin e fundit. Duhet të ishte menduar me kohë si t’i jepet zgjidhje”, shprehen përfaqësuesit e Alumil sh.p.k.
Edhe Mene thotë se një vit pas përmbytjes së nëntorit 2016 nuk u mor asnjë masë për rregullimin e infrastrukturës së kullimit.
Një nga arsyet e përmbytjes ende e pakonfirmuar zyrtarisht është ajo e shkarkimit nga rezervuari i Kasharit. Bizneset shprehen se, edhe pse janë lajmëruar në kohë për situatën e motit, pak mund të bëjnë për të përballuar prurjet, ajo do një zgjidhje që biznesi nuk e jep dot. Ndërhyrjet në kanalizime dhe menaxhimin e rezervuarëve e kanë në dorë institucionet shtetërore dhe masat për t’i dalë para situatës së vjeshtës dhe dimrit duhet të ishin marrë që në verë. Fakti që situata po përsëritet çdo vit, do të thotë se asgjë nuk e ndalon që të përsëritet edhe në vitet në vijim, por diçka mund të ndryshojë nëse institucionet do të ndjekin problemin që në fillesa dhe jo shiun e vjeshtës.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)