Aktuale
Bizneset nuk kanë besim në institucione, rastet e tyre në gjykata zgjasin deri në 3 vjet

Rritja e efikasitetit të organeve hetimore, prokuroriale dhe gjyqësore është jetik edhe për çrrënjosjen e korrupsionit, i cili krijon mjedis jo të barabartë për operimin e bizneseve, ngaqë kompanive u mungon besimi në institucionet e vendit, përfshirë edhe ato të drejtësisë.
Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në konferencën “Intervistë me gjyqësorin: Sundimi i ligjit nga perspektiva e sektorit privat”, e cila nxori në pak se efikasiteti i gjyqësorit ka rëndësi esenciale për rritje ekonomike dhe njëkohësisht është parakusht për funksionimin e tregut konkurrent.
Kreu i OEAK theksoi se “Intervista me gjyqësorin” është një aktivitet vjetor i Odës, i cili synon përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor, përmirësimin e zbatueshmerisë së kontratave si dhe krijimin dhe fuqizimin e mekanizmave alternativ për zgjidhjen e kontesteve.
Se efikasiteti i gjyqësorit ka rëndësi esenciale për rritje ekonomike dhe njëkohësisht është parakusht për funksionimin e tregut konkurrent, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se Republika e Kosovës dhe sistemi juridik duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe orientim të ri drejtësisë komerciale.
Ai tha se Ministria e Drejtësisë po synon edhe themelimin e një Gjykate komerciale, e cila do ta rriste efikasitetin e drejtësisë karshi bizneseve.
Ndër prioritetet e tij, si ministër, ai tha se në këtë vit është rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idizi, duke treguar për numrin e lëndëve të zgjidhur dhe të pa zgjidhura në gjashtë mujorin e parë, theksoi se efikasiteti i Departamentit për çështje ekonomike në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka qenë 92 përqind, raporton KP.
Alison Storsve nga Zyra Politike dhe Ekonomike e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë ka thënë se sundimi i ligjit duhet të jetë më efikas në mënyrë që bizneset të kenë rritje më të lart dhe zhvillim ekonomik. Ajo shtoj se këto dy prioritete janë në krye të listës së Ambasadës si prioritete për Kosovën dhe flitet vazhdimisht dhe në mënyrë konsesuale për mënyrat se si korrupsioni sulmon ekonominë në rritje të biznesit në Kosovë.
Në panel kanë qenë të pranishëm dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme, ku ngritën çështjen e zvarritjes së lëndëve në procesin gjyqësor.
