Ndërtim
Bizneset në Shqipëri po ndërtojnë më së shumti, 424 leje për ndërtime jorezidenciale

Biznesi po rrit investimin në pasuri të paluajtshme.
Statistikat tregojnë se lejet për ndërtime jo rezidenciale janë në rritje të vazhdueshme për pesë vitet e fundit. Instat raporton se për vitin 2018, u dhanë 424 leje të tilla. Ndërtimet jorezidenciale përfshijnë ato industriale, si fabrikat apo njësitë e prodhimit, hotelet, zyrat dhe ndërtesat e shërbimeve, qendrat tregtare e dyqanet, etj.
Numri i lejeve u rrit me 43% krahasuar me vitin 2017, ndërsa krahasuar me vitin 2014 numri i lejeve është rritur me afro gjashtë herë. Vlera e lejeve të miratuara për vitin 2018 arriti vlerën e 18.8 miliardë lekëve, ose rreth 150 milionë eurove. Edhe në vlerë, investimet për ndërtesa të reja janë rritur afërsisht me gjashtë herë krahasuar me vitin 2014.
Në vitet e fundit, duket një tendencë e rritjes së investimeve në pasuri të paluajtshme mes individëve, por, duke parë shifrat, interesi më i lartë për të investuar në prona po duket edhe te bizneset. Kjo tendencë mund të shpjegohet me disa faktorë. Përmirësimi i treguesve ekonomikë dhe i ndjesisë së biznesit po nxit më shumë investime të reja nga sipërmarrja.
Moratoriumi i përkohshëm i lejeve gjithashtu krijoi një akumulim të projekteve të ngelura pezull, të cilat po miratohen në dy vitet e fundit. Normat e ulëta të interesit mund të jenë gjithashtu një element që i favorizon këto investime. Megjithatë, ndryshe nga individët, kredidhënia për bizneset është më e shtrënguar. Portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme të biznesit në fund të viti të kaluar ishte 78.5 miliardë lekë, në rënie me rreth 4 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.
Kjo rënie reflekton edhe forcimin e lekut, që ka ulur vlerën ekuivalente të portofolit në euro, por sërish kreditimi i biznesit për të investuar në prona ngelet në nivele stanjacioni. Faktorë janë edhe zhvillimet në sektorë të veçantë, siç është rasti turizmit. Rritja e numrit të turistëve ka shtuar interesin për të investuar në struktura akomoduese. Vitin e kaluar u dhanë 75 leje ndërtimi, ndërsa një vit më parë ishin dhënë 53 leje të tjera.
