Aktuale
Bizneset i kanë mbi 300 milionë euro borxh ATK-së
Për vitin 2017 Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), sipas drejtori të saj, duhet të mbledh për buxhetin e shtetit 423 milionë euro.
Këto të dhëna i ka bërë të ditur Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, në një intervistë për Telegrafin.
Ai ka folur edhe për zhvillimet në ATK, grumbullimin e të hyrave, faljen borxheve si dhe për fiskalizimin e bizneseve.
“Nga 423 milionë euro sa janë planifikimet për grumbullim, deri më sot kemi mbledhur të hyra në shumë prej 334 milionë euro”, tha Imeri.
Ai ka treguar se ATK-ja ka vështirësi të vazhdueshme, sidomos me bizneset që merren me punë sezonale.
Sakip Imeri thotë se kanë marr veprime për luftimin e ekonomisë jo formale.
“Gjithmonë ku ka vështirësi në shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës, jo vetëm ne si ATK. Është një potencial me ekonominë jo formale. Ne nuk kemi statistika të sakta. Por në periudhën e verës kur ka aktivitete dhe ndërtime janë mundësitë më të mëdha për të pasur ekonomi joformale”, deklaroi Imeri.
Ai ka folur edhe për borxhet të cilat i kanë bizneset ndaj ATK-së që kapin shumën e 313 milionë eurove.
Por sipas tij, një pastrim të borxhlinjve ka pasur ndikime edhe fushata për faljen e borxheve e cila ka zgjatur tre vite.
Ndërkaq për fiskalizimin e bizneseve drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, ka thënë se është proces i vazhdueshëm. “Mbi 27 mijë biznese i kemi të fiskalizuar deri më sot”, thotë ai.
Kurse për formën e rimbursimit nga kuponët fiskal ka thënë se janë duke shikuar forma të tjera më nxitëse për qytetarët.