Aktuale
BIK ka “uzurpuar” hapësirën për Xhaminë në Ulpianë, s’tregon kur do të ndërtohet

E premtuar tash e shtatë vite, Xhamia Qendrore e kryeqytetit duket se ka mbetur në harresë. Bashkësia Islame e Kosovës nuk po jep detaje se ku ka ngecur procesi i ndërtimit të kësaj xhamie, ndërkaq Komuna e Prishtinës ka thënë se BIK’u nuk ka kërkuar ende leje për ndërtimin e xhamisë
BIK’u nuk po tregon kur do të fillojë ndërtimi i kësaj xhamie, por që është e qartë se kjo gjë nuk do të ndodhë në një afat të shkurtër kohor.
Ndërtimin e kësaj xhamie, do ta financonte Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro. E për vonesat në ndërtimin e xhamisë, BIK’u pati thënë se përgjigjet që i ka pranuar nga Bashkësia Islame e Turqisë nuk kanë qenë bindëse.
“Ata ende nuk e kanë sjellë projektin detal. Kemi pasur disa çalime dhe vonesa në këtë aspekt. Kemi kërkuar përgjigje, i kanë ata arsyet e veta, për të cilat, megjithatë nuk janë ndoshta bindëse. Ne kemi insistuar pse kjo vonesë kaq e madhe, por ata i kanë dhënë përgjigjet e veta rreth projektit, jo nuk kemi mundur ta bëjmë, arsye të ndryshme, po them”, pati thënë BIK’u vitin e kaluar.
Ndërkaq BIK’u tani po thotë se nuk ka çka të deklarojë rreth ndërtimit të xhamisë qendrore.
“Nuk kam një herë kurrfarë informate”, ka thënë për Express Zëdhënësi i BIK’ut Ahmet Sadriu, ndërkaq i pyetur se kush duhet të japë përgjigje rreth kësaj çështjeje, ai ka thënë se askush s’mund të thotë asgjë.
Por në Komunën e Prishtinës e kanë konfirmuar se BIK’u ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit të xhamisë.
“Nuk kanë kërku leje për ndërtim ende, e kanë kërku vetëm zgjatjen e afatit për kushtet e ndërtimit”, ka thënë nënkryetari I KP’së, Selim Pacolli.
E kushtet e ndërtimit BIK’u i ka marrë edhe gjatë vitit të kaluar. Në shtatorin e 2018-ës, BIK’u pati filluar rrethimin e lokacionit në lagjen Dardania ku do të ndërtohet xhamia, procedura këto që bëhen në kuadër të lejes për kushtet e ndërtimit.
Që nga viti 2012, në parkingun e Telekomit të Kosovës në Prishtinë, është vendosur gurthemeli i Xhamisë Qendrore, për të cilën ka pasur shumë diskutime.
Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilit kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik. Mirëpo pas konsultave ndërmjet kryetarit të Prishtinës dhe kryetrarit të Bashkësisë islame të Kosovës është arritur konsensus që xhamia të ndërtohet në lagjen Ulpiana./GazetaExpress
