Aktuale
Bien investimet e huaja për 25% në Shqipëri
25% më pak investime të huaja janë shënuar në tremujorin e dytë të këtij viti për Shqipërinë. Remitancat prekën vlerën e 163 milionë eurove, 9 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet e huaja direkte pësuan rënie në tremujorin e dytë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja kishin vlerën e 200 milionë eurove, 25% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Frenimi i tremujorit të dytë e ka përkeqësuar bilancin e gjashtëmujorit të parë, që tashmë është në rënie me 29 milionë euro ose 7% më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2016, raporton tv scan.
Investimet duket se nuk po mbajnë ritmin e vitit të kaluar, kur prekën vlerën rekord të 943 milionë eurove. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e dytë të vitit investimet e huaja u përqendruan në sektorin e energjetikës, me rreth 35% të totalit, të ndjekura nga hidrokarburet me 17% dhe investimet në sistemin bankar, me 13%.
Mbështetur në të dhënat sektoriale, duket se edhe këtë vit investimet e huaja po mbështeten nga ndërmarrjet dhe projektet ekzistuese, ndërkohë që nuk duket të ketë nisma të reja për investime të rëndësishme. Vlerat e larta të investimeve të huaja kanë qenë ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike gjatë viteve të fundit. Tremujori i dytë i vitit ishte më pozitiv për sa i takon të ardhurave dytësore në ekonominë shqiptare dhe sidomos dërgesave të emigrantëve. Remitancat prekën vlerën e 163 milionë eurove, 9 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për gjashtëmujorin e parë, dërgesat e emigrantëve arritën në 298 milionë euro, në rritje të lehtë me 2.7% krahasuar me një vit më parë.
Në rritje për këtë vit janë edhe të ardhurat nga turizmi. Për tremujorin e dytë, bilanci neto i të ardhurave mes turizmit hyrës dhe dalës ishte pozitiv për 80 milionë euro. Për gjashtëmujorin e parë, ekonomia shqiptare ka përfituar 156 milionë euro neto nga llogaria e udhëtimeve, shifër kjo 11% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet e huaja u ngadalësuan në tremujorin e pare duke arritur në 168 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2017, duke u rritur me 8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, pavarësisht përmirësimit të lehtë, investimet e huaja kanë shënuar nivelin më të ulët pas tre tremujorëve radhazi kur kishin njohur rritje të fortë.
Shifrat janë bërë të ditura më herët në raportin e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas analizës së BSH-së, fluksi hyrës neto i investimeve direkte shënon 168 milionë euro ose rritje 8 për qind në terma vjetorë, nga të cilat 188 milionë euro vijnë në trajtën e zgjerimit të kapitalit dhe një fluks negativ prej 20 milionë eurosh i derivuar nga marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura. Prurjet valutore në formën e investimeve direkte janë të përqendruara në sektorin e energjetikës me rreth 41 për qind, hidrokarbureve në masën e 37 për qind, e ndërmjetësimit financiar në masën e 6 për qind. Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës.
Në terma vjetorë, injektimi me kapital u zgjerua ndjeshëm në masën 50 për qind. Dy vitet e fundit, investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikimin në afatin e mesëm. Nga ana tjetër edhe investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare. Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa në 2016-në dhe tremujorin e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në burs.
Emigrantët risjellin para në Shqipëri, 3 % më shumë se vitin që shkoi
Paratë që emigrantët, të cilët punojnë jashtë vendit kanë sjellë tek të afërmit e tyre në fshatrat dhe qytetet shqiptare në gjashtë muajt e parë të vitit kanë shënuar rritje të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për periudhën janar-qershor ishin 298 milionë euro, me një rritje të lehtë prej 3% në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2016. Që prej vitit 2013, kur remitancat arritën nivelin më të ulët të dekadës së fundit, duke sinjalizuar fundin e një cikli, teksa emigrantët e larguar prej vitesh po i shkëpusnin lidhjet me vendin mëmë, ato filluan të rriten në mënyrë të papritur në 2014-n e më tej, ndonëse me ritme të ngadalësuara. Kjo tendencë reflektoi rigjallërimin e ciklit të emigracionit, teksa duke filluar nga viti 2014, bilanci neto i emigracionit filloi të përkeqësohej sërish. Vetëm në vitin 2015, numri i atyre që kërkuan azil në shtetet e BE-së arriti në 67 mijë persona. Më pas ai ka rënë ndjeshëm, por shqiptarët vijojnë të renditen të parët në kërkesat për azil sidomos në Gjermani e Francë.
Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e tyre kthehen, teksa Shqipëria nuk është në listën e vendeve me rrezik dhe përparësi kanë emigrantët që i ikin luftës, një pjesë e tyre arrijnë të qëndrojnë dhe të integrohen gradualisht, por gjithnjë me kokën pas. Pas viteve ’90, prurjet e emigrantëve kanë qenë një burim i rëndësishëm për financimin e konsumit dhe zbutjen e varfërisë, sidomos në zonat e thella rurale. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë. Sipas Censusit të fundit të INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë 40% të atyre që banojnë në vend./Monitor/