Aktuale
Bie prodhimi i mineraleve, shkak mungesa e tregut
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2018/01/minerale.jpg)
Trendi i prodhimit të mineraleve për vitin 2017 rezultoi në zbritje, në krahasim me një vit më parë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore shkak për këtë situatë është mungesa e tregut të brendshëm dhe të jashtëm të shitjes si dhe çmimit të ulët në bursë.
Sipas të dhënave të AKBN-së për 6-mujorin, Në Shqipëri u prodhuan rreth 350 mijë ton krom, ndërkohë që në 2016-ën u raportuan 727 mijë ton. Një rënie të ndjeshme të prodhimit ka pësuar gipsi alabastër me rreth 34 mijë tonë, nga 132 mijë që u prodhuar gjatë vitit paraardhës.
Po ashtu, edhe kuarci ka pësuar rënie të prodhimit, ndërkohë që ajo që bie në sy është mungesa e prodhimit të bakrit për gjithë 6-mujorin, ndonëse gjatë 2016-ës u prodhua mbi 14 mijë ton. Hekur-Nikeli dhe Argjila duket se nuk kanë pësuar shumë ndryshime, duke ruajtur të njëjtat ritme të prodhimit.
Ndërkohë që, rritje të sasisë ka pësuar vetëm zhavorri dhe rëra bituminoze, duke qenë se për 6-mujorin raportohet prodhimi i rreth 30 mijë ton, një sasi edhe më e madhe se gjithë viti 2016, ku u prodhua rreth 25 mijë ton.
Aktualisht, numri i lejeve minerare aktive është 632, ndërkohë që numri më i madh i tyre i takon kromit me 258 leje. Pas tij renditet guri gëlqeror, me 158 leje, hekur-nikeli me 30 leje dhe guri gëlqeror i mermerizuar me 29 leje.
Ndërkaq, pavarësisht rënies të prodhimit, të ardhurat nga renta minerare rezultojnë në rritje në krahasim me parashikimet. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, nga renta minerare në eksport, për 11-mujorin u arkëtuan 2.1 miliardë lekë apo 4% më tepër se plani.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)