Aktuale
Biblioteka në rinovim përballet me rrjedhje të ujit nga kulmi
Procesi i rinovimit të kulmit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e moti me shi kanë rikthyer telashet me të cilat përballet tash e sa vite, ani pse projekti ka për qëllim që t’i evitojë ato. Reshjet e fundit atmosferike kanë bërë që prej më shumë se 10 vendeve, uji të depërtojë brenda hapësirave të këtij institucioni.
Të enjten tri rrjedhje të ujit kanë qenë vetëm në sallën e leximit që akomodon 400 lexues. Kovat janë shpërndarë gjithandej që uji të mos shpërndahet nëpër dysheme. Punonjësit vazhdimisht gjatë ditës janë kujdesur që ta minimizojnë shpërndarjen e ujit. Disa prej zyrave janë shpëtuar nga kovat e koritat ujëmbledhëse, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ka pasur edhe hapësira ku punonjësit nuk kanë munduar që ta vazhdojnë punën. Menaxhmenti i BKK-së është mobilizuar përballë këtij problemi. Kanë njoftuar Ministrinë e Kulturës e kompaninë punëkryerëse që po rinovon kulmin e bibliotekës kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Një situatë e tillë ndodh vetëm një javë pasi gazeta ka raportuar se investimi prej 200 mijë eurosh s’e shpëton Bibliotekën nga vërshimet, pasi në kuadër të këtij projekti ndërhyhet vetëm në kulm e nuk parasheh zgjidhje për depërtimin e ujit nga bodrumi. E tash i bie të përballet edhe me ato të kulmit. Puna e nisur më 11 shtator ka avancuar goxha, por do ende kohë për të përfunduar e kushtet atmosferike nuk janë të favorshme.
Kulmi i rrafshët është izoluar me najlon që përkohësisht të shmanget rrjedhja e ujit në hapësirat e brendshme. Por kjo nuk del të bëjë punë në mbi 10 vende.
Në korrik të këtij viti Ministria e Kulturës ka nënshkruar kontratë me konsorciumin “K-ING ShPK & CDC ShPK”, në vlerë prej 189 mijë e 901 eurosh e 64 centë. Por kontrata, që titullohet “Hidroizolimi i kulmit të rrafshët dhe atikës në objektin e BKK ‘Pjetër Bogdani’, Prishtinë”, del të jetë e pamjaftueshme për t’i kryer punët.
Gazeta disa herë ka raportuar se gjendja në bodrumet ku ruhen rreth 2 milionë ekzemplarë librash, gazetash, revistash e njësi të tjera nuk është aspak e mirë. Pesë “burime” uji janë lehtë të identifikueshme në katin e parë të bodrumit.