Connect with us

Aktuale

Beteja për të shpëtuar Ballkanin nga digat, në listë edhe Vjosa

Published

on

Në ish-Jugosllavi, ndërtimi i impianteve hidroelektrikë kërcënon lumenjtë e fundit të egër në Europë, por banorët vendas po luftojnë për t’i shpëtuar.

Në Ballkan, lumenjtë e fundit të egër të Europës janë në rrezik për shkak të industrisë hidroelektrike, përfshirë Vjosën.Pasojat mjedisore, përfitimet ekonomike të dyshimta dhe jo në avantazh të komunitetit lokal kanë shkaktuar një fushatë ndërkombëtare denoncimi.
Në rajon parashikohen 3000 diga; 1.003 impiante janë tashmë në punë (të parat që pas Luftës së Dytë Botërore); 188 në fazë ndërtimi dhe 2.798 në fazë projektimi, nga të cilat 91% të vogla apo “mini”, që prodhojnë energji nën 10 MW dhe 1031 (37%) në zona të mbrojtura.

Mund të duket një ide e mirë për t’iu përgjigjur nevojës në rritje për energji. Por edhe diga më e vogël vepron në mënyrë të pakthyeshme në ekosistem (përveçse në potencialin e ujit) dhe në këtë rast bëhet fjalë për ekosisteme të virgjëra (ose thuajse). Në vitin 2012, organizatat joqeveritare RiverWatch (Austri) dhe EuroNatur (Gjermani) morën në mbrojtje këtë kauzë, duke krijuar një bazë të dhënash në mbështetje të fushatës.

Në këtë fotografi: rafting në lumin Narenta pranë Konjic, në Hercegovinën qendrore, rreth 50 kilometra në jug të Sarajevës. Të gjithë aktivitetet turistike dhe sportive varen nga lumi.
Në Ballkan, 80% e 35 mijë kilometra lumenj të marrë në shqyrtim është ende në kushte shumë të mira apo të mira, 30% janë thuajse të paprekur. Përkundrazi, në pjesën tjetër të Europës, 80% e lumenjve janë në kushte kritike.

Po si funksionon një digë e vogël?Në një digë të vogël, më shumë se gjysma e volumit të ujit të lumit devijohet në tubacione dhe në distancë disa kilometra prodhohet energji nëpërmjet një seri turbinash, pastaj uji rilëshohet në rrjedhën e tij, përpara se të kanalizohet sërish në impiantin tjetër hidroelektrik.

Në këtë pjesë, pasoja është reduktimi i fortë i rrjedhës së lumit, që në rastin më të mirë çon në rritjen e temperaturave apo në zhdukjen relative të specieve endemike (disa unike në botë), deri në tharjen (shpesh i tëri) gjatë periudhës së verës, duke ndryshuar faunën dhe florën dhe duke ndikuar në kushtet klimatike të zonave përqark.

Në këtë fotografi: digë në ndërtim në lumin Pliva, në Bosnjë. Pas vënies në punë, një pjesë e ujërave të lumit do të kanalizohen në digë, duke ndryshuar ekosistemin e pasur të zonës.
Për këtë arsye, popujt e Ballkanit kanë vendosur të luftojnë për të mbrojtur mjedisin.Është një betejë që bashkon etni, fe dhe njerëz të të gjitha moshave, është një betejë kundër një vizioni politik jo të kthjellët dhe kundër interesave ekonomike të pak njerëzve përballë varfërisë së pjesës më të madhe.

Është një betejë që mbron biodiversitetin unik dhe të drejtën e patjetërsueshme të ujit. Një luftë që beson në zhvillimin e një turizmi ekologjik e të ngadaltë në mbështetje të mjedisit e komunitetit. Prej 24 gushtit, një garnizon grash ruan hyrjen e luginës së lumit me të njëjtin emër për të shmangur hyrjen e buldozerëve.

“Jemi si ushtarë” – thonë gratë. Falë një sistemi me turne 24 orë në 24, ato e ruajnë urën natë e ditë. Gjatë natës janë të paktën dy persona që e ruajnë urën.

“Ballkani është një ndër burimet më të rëndësishme të paprekur të ujit të pijshëm në sipërfaqe”, thotë Ulrich Eichelmann, themelues i RiverWatch, slogani i së cilës është “Lumenjtë bashkojnë, digat ndajnë”.

Në këtë fotografi: diga e Idbar, e ndërtuar në vitin 1959 në lumin Bašcica në Bosnjë-Hercegovinë për të ndalur mbeturinat që zbrisnin në rezervuarin e Jablanicës, është ikonë e fushatës #thedamtruth dhe vendndodhja e premierës botërore të dokufilmit Blue Heart, më 29 prill të vitit të kaluar.

“Save the blue heart of Europe” është emri i fushatës, e mbështetur edhe nga kompania amerikane e veshjeve sportive Patagonia, që me sloganin “#TheDamTruth” nënshkruan fushatën e parë mjedisore në Europë.“Është një betejë shumë e rëndësishme për të qëndruar indiferent, – thotë Yvon Chouinard, alpinist, sipërmarrës amerikan dhe themelues i Patagonia në vitin 1973.

Fushata u kërkon bankave të mëdha ndërkombëtare që të ndërpresin financimin e këtyre projekteve. Sipas organizatës joqeveritare Bankwatch, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane për Investime (BEI) dhe International Finance Corporation (Ifc) e Bankës Botërore kanë investuar 700 milionë euro në projekte hidroelektrike në Ballkan.

Gjithnjë sipas Bankwatch janë përfshirë edhe banka tregtare si Erste Bank në Austri dhe grupi Unicredit në Itali.

Në këtë fotografi: të rinj gjatë piknikut tradicional më 1 maj buzë lumit Narenta që përshkon qytetin e Mostarit – një ndër vendet e shumta që rrezikohen nga ndërtimi i digave të reja.

“Në Itali, është lumi Tagliamento, mbreti i lumenjve alpinë për shkallën e integritetit të ruajtur, por në degët e tij janë ndërtuar shumë diga. Në Shqipëri është Vjosa, 270 kilometra i gjatë, lumi më i madh i egër në të gjithë Europën.Vjosa ka të njëjtën morfologji si Tagliamento, por degët e saj janë të paprekura më së shumti – shpjegon Ulrich.
Në Šipovo janë dy lumenj, Pliva dhe Janja (“Sepse në gjuhën sllave, lumi është grua” – thotë Viktor Bjeli, nga Center for Environment në Banja Luka, OJQ që koordinon shoqatat e aktivistëve në Bosnjë -Hercegovinë) dhe të paktën 6 struktura të ndryshme në një rreze prej pesë kilometrash.

Breza të tërë të popullsisë lokale kanë bashkëjetuar me lumenjtë. “Gjatë verës shkojmë në lumë për t’u larë, fëmijët tanë kanë mësuar të notojnë këtu. Nuk kemi para për të shkuar në det. Për ne, lumi është gjithçka” – thekson Nelina, e cila drejton grupin e grave të Krušcica. “Rijeka je naša” (lumi është yni) përsërit Mehmed Bilal, 73 vjeç, që prej 24 gushtit ka kaluar çdo natë në mbrojtje të urës në Krušcica.

Në vitin 2014 filloi ndërtimi i impiantit të vogël hidroelektrik në lumin Gotuša, pranë Fojnica. Ndërtimi ka përfunduar, por është pezulluar lidhja me rrjetin elektrik të impiantit me fuqi 0,9 MW.

“Ata janë mbështetur te të dhëna 40 vjet më parë, rrjedha lumit sot janë zvogëluar. Nëse diga do të vihet në përdorim, lumi do të thahet dhe uji nuk do të jetë i mjaftueshëm në verë as për të prodhuar energji. Në luginë do të zhduken shumë kafshë dhe specie bimore” – shpjegon Robert Oroz, programues informatik, 40 vjeç, president i shoqartës lokale Eko Gotuša.

Profesor Sulejman Redzi, nga Universiteti i Sarajevës, i cili po punonte për një studim të pavarur për të treguar prapambetjen e të dhënave mjedisore të paraqitura, vdiq në vitin 2013 në rrethana të paqarta.

“Ai ishte një ndër intelektualët dhe natyralistët më të shquar të Bosnjë-Hercegovinës, ka qenë mësuesi im”, – tregon Damir Ivis, botanist.

“Është një piramidë, në bazë janë mikrosistemet, dhe duke u ngjitur sistemet më të mëdha, në majë është njeriu. Mund të hiqni njeriun nga piramida dhe nuk ndodh asgjë, por nëse dobësoni sistemin në pjesët më të ulëta, piramida do të shkatërrohet. Për këtë arsye është e rëndësishme të mbrohen këto pjesë”.

Ujëvara e Jaice, ku lumi Pliva (që do të thotë lumi i notit) derdhet në Vrnas (lumi i shelgjeve) – janë ndër atraksionet kryesore turistike në Bosnjë-Hercegovinë.
Si të përballemi me nevojën në rritje të energjisë pa shkatërruar lumenjtë? Biologia Biljana Rankovic, 43 vjeç, shpjegon: “Së pari duhet të reduktojmë konsumin e energjisë, duke mësuar të respektojmë burimet. Së dyti, duhet të investojmë në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes që regjistron humbje të pakompensueshme.

Ne në Ballkan jemi të zhytur në mbeturina. Malet, lumenjtë, liqenet, plazhet. Duhet ta shndërrojmë problemin në mundësi dhe të prodhojmë energji nga mbeturinat. Pastaj është edhe dielli, këtu mund të shfrytëzojmë energjinë diellore”.

Nataša Crnkovic, presidente e Centre for Environment thotë: “Zgjidhja ideale është realizimi i projekteve që shfrytëzojnë energjinë e diellit në një shkallë të vogël dhe në pronësi të komuniteteve lokale.

Rreth një vit më parë nisën punimet për ndërtimin e një dige të vogël në lumin Krušcica. Në të majtë, shtrati i lumit pas dy ditë punimesh; në të djathtë, lumi siç ishte në fillim. Banorët e zonës ndërhynë për të ndalur buldozerët dhe për t’i nxjerrë nga zona.

“Ka pasur përpjekje për ta bërë kauzën edhe fetare, qeveria lokale është myslimane dhe për të kundërshtuar, mbështeste idenë se ishim ne katolikët që e përdornim lumin. Por askush nuk e besoi”.Gjatë ditëve të mbrojtjes së lumit, 325 në total, gratë myslimane na sillnin ushqim dhe na falënderonin për betejën që po bënim ditë pas ditë dhe se ato nuk mund ta bënin një gjë të tillë, për të mos humbur vendin e punës” – tregon Robert nga Šipovo.

“Në këtë mes janë interesat e ndërtuesve dhe prodhuesve të çimentos” thotë Haris Djelilovic Krušcica, 25 vjeç. Ai vijon: “Problemi është se gjithçka është e korruptuar. Unë mund ta mbështes fushatën, pasi jam me fat dhe punoj. Moshatarët e mi nuk po gjejnë punë dhe nëse e mbështesin këtë fushatë nuk do ta gjejnë më”.

Biljana shpjegon: “Digat ndërtohen nga Shteti, koncesioni u besohet privatëve dhe vetëm një përqindje e vogël e të ardhurave do t’i kthehet shtetit. Kjo energji do t’u shitet privatëve jashtë shtetit. Ajo shton më tej: “Është më mirë të mbrosh natyrën e jashtëzakonshme të këtyre vendeve, që mund të sjellin të ardhura ekonomike për të gjithë komunitetin për një kohë të gjatë”.

Aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e lumenjve në Ballkan. Motoja e tyre është “Ne damo rijeku in to je vse” (Nuk heqim dorë nga lumi, ai është gjithçka) Në të majtë: Abaz Djelilovic (Krušcica, 31 vjeç) Në të djathtë: Biljana Rankovic (Šipovo, 43 vjeç)
Ne kërkuam mendimin e Filippo Giorgi, një ndër ekspertët më të mëdhenj për ndryshimet klimatike.Giorgi vëren se ndërtimi i një numri kaq të madh digash të vogla ose mini “është befasues, duke marrë në konsideratë që bëhet fjalë për një zonë ku skenarët e së ardhmes karakterizohen nga reduktimi i reshjeve në pranverë, në verë dhe në vjeshtë, dhe nga Mali i Zi e më poshtë edhe në dimër”.

Në këtë fotografi: aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e lumenjve në Ballkan. Motoja e tyre është “Ne damo rijeku in to je vse” (Nuk heqim dorë nga lumi, ai është gjithçka) Në të majtë: Mehmed Bilal (Krušcica, 73 vjeç Në të djathtë: Advija Kolašinac (Krušcica, 61 vjeç)

Konijc, liqeni i madh në digën e Jablanicës 85 metra e lartë, prodhon 180 MW) ndërtuar në vitin 1952. Një ndër digat më të rëndësishme në Ballkan, ndërtuar nga Tito në shërbim të industrisë së zonës. Rezervuari u mbush në vitin 1954, thellësia është më shumë se 100 metra. Më shumë se 10 mijë njerëz u shpërngulën.

Në këtë fotografi: pak kilometra nga diga e Jablanicës, përgjatë rrugës për Mostar, rezervuari i digës së Gabrovica. Nga Konijc në Mostar, katër diga të mëdha bllokojnë rrjedhën e Narenta. “Diga ndal gjithçka dhe lumi bëhet liqen” thotë Mehmed Bilal.

Në këtë fotografi: Studentë. Ujëvarat e Kravice, pak kilometra larg Medjugorje, një ndër vendet më spektakolare në Ballkan.
*Manuela Schirra / Fotografitë nga Fabrizio GiraldiBurimi: Nationalgeographic.it

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending