Aktuale
Beteja për shtëpinë: një autoetnografi e një arkitekteje siriane

Në detin Mesdhe, apo Detin e Mesëm si e quan arkeologu i mirënjohur Cyprian Broodbank, ka marrë formë ideja dhe realiteti i qytetit metropol. Në fakt, ka nisur pikërisht në Mesdheun Lindor, ku fillon drapri pjellor i parahistorisë njerëzore.
Kultura e fe të ndryshme kanë jetuar bashkë, nën një qiell, duke bërë marrëveshje për paqe, pavarësisht diferencave. Ideja e lashtë “si n’shpi tane” e banorëve ndaj qyteteve plot harmoni e gjallëri ka lënë një trashëgimi të rëndësishme në këto vise. Së fundi, ajo trashëgimi ka filluar të shkatërrohet nga plagët e marra prej luftës, tribalizmit sektar fetar, ideologjisë, inferioritetit e modernizmit. Në lindje të Mesdheut, ky kaos ndihet më së shumti në qytetet e Sirisë, të asaj Sirie që dikur është quajtur “ylber” kulturor ku kanë gjalluar së bashku etni, kultura, fe e sekte të ndryshme.
Sa herë që në ekran dalin pamjet e Sirisë, para syve më del një kishë e bardhë, e tejlyer me gëlqere tek e cila luten gratë myslimane për të mbetur shtatzënë. Nuk mund të rikonstruktoj skenën ku e kam parë apo librin ku e kam lexuar këtë informacion, por Siria dhe kjo pamje janë të pandashme në pikturën time imagjinare, kur shoh imazhet e Sirisë apo dëgjoj për shkatërrimet që i janë bërë në dekadën e fundit. Ideja e qyteteve si Damasku, qytete ku në të kaluarën kanë bashkëjetuar myslimanë e të krishterë pa probleme të mëdha, ka filluar të venitet në botën e Lindjes së Mesme. Arkitekturën islame e ka kapluar klisheja arkitekturale islamiste dhe modernizimi banal që duket se kanë hapur edhe më gjerë shtegun e betejës edhe për problemet e fundit të palëve siriane në konflikt. Në fakt, ky vrojtim nuk është fantazia ime, por vrojtimi i një arkitekteje të re siriane, Marwa Al-Sabouni, e cila ka shkruar librin “Beteja për shtëpinë: vizioni i një arkitekteje të re në Siri” [në gjuhën angleze: “The Battle for Home: The vision of a Young Architect in Syria”] (2016). Al-Sabouni jeton në qytetin Homs në Siri dhe aty ka jetuar edhe gjatë kohës kur rreth saj është shkatërruar gjithë pejsazhi urban, i ruajtur në shtresa që nga kohërat parahistorike. Rrëfimi i saj është autobiografik, personal, emotiv, sqimatar dhe mjaft i hollë në analizën për ontologjinë e arkitekturës që për të është shtëpia. Tregimi i saj e paraqet Marwa-në aq të sinqertë, logjike, intuitive, të mençur dhe të guximshme sa që filozofi britanik Roger Scruton e quan në hyrje të këtij libri “një prej njerëzve më të jashtëzakonshëm që kam takuar”.
Libri nis me një pamje skicore për veçantinë e qytetit Homs, vendlindjes së saj. Pak njerëz e dinë se Homs, një qytet më i vogël se Damasku, bën një ëmbëlsirë që mund të bëhet dhe të hahet vetëm në mëngjes. Pakkush e din se sirianët janë njohur në botë, të paktën deri tani, për bashkëjetesën fetare po aq sa edhe shqiptarët. Jo shumë njerëz mund ta dinë se në këtë qytete para 3000 e sa viteve është zhvilluar beteja më e njohur në histori si betejë me pajtone. Në të kaluarën edhe myslimanët edhe të krishterët jetonin në qytet dhe kishin hisen e vetë si qytetarë, si banorë që i përkisnin qytetit dhe nuk ndiheshin inferiorë ndaj njëri tjetrit.
Marwa nis tregimin e saj në sintezë me tregimin e qytetit të saj Homs dhe vendit të saj Sirisë. Në hyrje thekson: “Në politikë e histori, kur narracionet bashkohen, secila anë tregon tregimin e vet. Vetëm përmes arkitekturës mund të shohim pikëpamjen që nuk është e dikujt në veçanti por e gjithkujt në përgjithësi. Ndërtesat nuk rrejnë: ato tregojnë të vërtetën pa anuar. Secila hollësi në konfigurimin urban është një dokument i sinqertë i një tregimi të përjetuar”
Ajo tregon se para luftës së fundit, Siria ishte vend tolerant, divers dhe i mundësive të barabarta edhe për gratë. Sa i përket religjionit, komunitete të ndryshme fetare kanë jetuar në paqe me qindra vite. Sirianët po ashtu kishin atitudë të njëjtë ndaj jetës, kishin një mori gjuhësh, zakonesh, dokesh, ushqimesh e gjëra tjera të ndryshme. Por, të gjitha i mbanin nën kontroll në shoqërinë e tyre. Kjo pamje duket utopike kur krahasohet me eksplodimet e qyteteve, vdekjet e fëmijëve dhe hirin e shtëpive të djegura e shkatërruara që ka kapluar Sirinë në vitet e fundit.
Para 3 mijë e sa viteve ky qytet kishte pasur betejën më të famshme në histori, të njohur si “Beteja e Kadeshit” mes egjiptasëve dhe hititëve. Prej atëherë njihet si qytet i luftës. Por bukuria e tij kishte pësuar pas dëmtimit osman dhe nomad. Ndërsa e ramja më e fortë me shpatë në këtë qytet kishte qenë në vitet 1960 kur ishte ndërtuar një rafineri nafte në anën perëndimore dhe ishte bërë burimi kryesor i ndotjes. Si shumica e qyteteve në Siri edhe ky qytet pëson nga revolucioni arkitektonik i cementit në vitet 60 kur gjysma e qyteteit shndërrohet në banesa residenciale, pak a shumë si ato të Prishtinës gjatë viteve 70, ndërsa gjysma tjetër mbetet qyteti i vjetër me kisha, xhami e objekte tjera të vjetëra. Krejt kjo sipas idesë moderniste të arkitektëve si Le Corbusier, që kishte influencuar betonine e qelqin në Algjeri, të cilët ishin bërë model për arabët inferiorë e mimetik ndak kulturës perëndimore, sidomos ngrehinave të reja moderniste të shekullit 20. Pastaj edhe shumë banjo publike, pallate e ndërtesa tjera qenë shkatërruar për të liruar vendin për ndërtime të cementit, kryesisht blloqe banimi. Pallatet qenë okupuar nga qeveria, tregjet e vjetëra qenë shkatërrua nga tregu e sindikatat. Marwa rënkon gjatë përshkrimit të këtyre skenave, aksioneve e ndjesive. Qysh në faqet e para vërehet pasioni i saj kundër-revolucionar, kundër cementit dhe vizllimës dhe pro arkitekturës që të bën të ndihesh në shtëpi: harmonike, të balancuar, të mbushur plot shtresime kulturore e diversitet estetik e funksional. Dhe sipas saj, arkitektura e vjetër islame e shpërfaq shumë mire këtë ndjenjë.
Homsi i vjetër qe formësuar nga banorët e vjetër të krishterë e myslimanë, të cilët qenë fortifikuar prapa mureve rrethuese të tij, duke krijuar një oazë ekonomike e kulturore, mbi shtresat antike. Xhamia e Madhe e Homsit është testament i shtresave duke qenë tempull i diellit, pastaj kishë e më vonë xhami. Por, problemet kishin nisur nga ardhjet e grupeve të reja të alavitëve, sunitëve, katunarëve, të krishterëve dhe beduinëve. Të gjitha këto grupe qenë strehuar në zona të izoluara duke krijuar një “multikulturalizëm” grupocentrik. Disa ndiqnin rende etike krejtësisht fetare, disa mundoheshin të kopjonin stilet perëndimore. Për shembull, ajo tregon se disa grupe të reja të ardhacakëve në qytet (si të krishterët e ardhur) ndiqnin sipërfaqësisht shprehitë perëndimore të cilave nuk u përkisnin, duke dashur të tregojnë superioritet ndaj grupeve tjera. Por, sipas Marwa-së, kompleksi i inferioritet në raport me Perëndimin është universal në botën arabe dhe nuk i përket vetëm një grupi të caktuar të krishterë. Sipas Marwa-së arkitektura e larmishme e Homsit ishte edhe vula permanente që njerëzit ia jepnin qytetit përmes besimit të tyre, duke e daltuar në rendin civil, te të gjitha komunitetet, rëndësinë e vlerave shpirtërore mbi të cilat varej gjithë jeta e tyre e përbashkët. Arkitektura jepte një garacion për paqen civile, ajo ishte autoritet i lartë i mbrojtes dhe ruajtes së qytetit, ajo ishte pjesë e “shpirtit” të qytetit. Por, ardhacakët e rinj, si alavitët, për shembull, filluan të ndahen në zona të cilat nuk ishin të lidhura me rendet e praktikës fetare, që do t’i lidhte me jetën religjioze dhe njohjen e faktit se jetonin me tjetrin dhe feja e tyre, sipas saj, nuk përkonte nga ana filozofike me asnjë nga religjionet abrahamike. Kështu kur beteja me qeverisë dhe opozitës filloi, nisi edhe stereotipizimi dhe fajësimi grupor. Duke qenë qytet me lumë, vreshta dhe kopshte, rrugë dhe hapësira, Homsi ishte ftues ndaj imigrantëve që zhdirgjeshin prej kodrave në qytet, sidomos fiseve beduine. Por, imigrimet e sunitëve, alavitëve, shiitëve, të krishterëve, katunarëve dhe beduinëve krijuan grupe e zona të cilat nuk integroheshin në frymën e harmonisë, që kishte ekzistuar më parë në qytet. As Siria në përgjithësi nuk ishte më “ylber” i komuniteteve, por ngjyrat filluan të bëhen monokrome. Të ardhurit nuk u bën “bij” qyteti, të pranuar dhe të integruar. Kështu Homsi filloi të ndahej në zona e grupe, identitete mrrolane ndaj njëra tjetrës, deri kur mrrolat shndërrohen në aksione që hedhin predha.
Përshkrimi i jetës së përditshme në Homs është thjesht një tregim që tejkalon edhe etnografitë më të thukëta nga antropologët vigjilentë. Al-Sabouni është mjeshtre e rrëfimit për qytetin e saj prej përspektivës personale, duke gërshetuar edhe përjetimet e të tjerëve. Në secilën fjali të shkrimit të saj vërehet dashuria për jetën mes njerëzve që duan njëri tjetrin, luftojnë për ajër, ujë, rrugë, parqe, komunikacion më të mirë, më të përmirësuar se sa përditshmëria ekzistuese siriane.
Marwa vjen si një prej zërave më origjinalë që shkruajnë për luftën e përjetuar prej pikëpamjes së shkatërrimit të asaj që njeriu e quan shtëpi: si banesë, si shesh, si universitet, si kishë, si treg, si teatër, si park. Ajo përshkruan rastet se si civilët ishin kurban i hakmarrjes së palëve në luftë, si ata mbijetonin në gërmadha, si komunikonin nën zhurmën e predhave mortare. Marwa tregon për gjithë tmerrin e luftës civile në Siri, kur ushtria e shteti rrethon forcat opozitare të cilat ishin strehuar në qyetin e vjetër, prej edhe nga vinin. Ajo thekson se gjatë luftës një tank qëndronte jashtë shtëpisë së saj dhe bombardonte qytetin e vjetër. Skatërrimet ishin të pariparueshme dhe dëmet ishin vdekjeprurëse për zemrën e arkitekturës së qyetit. Megjithatë, Marwa tregon se qyteti i vjetër kishte rezerva ushqimi për dy vite, kishte ujë në puset e shumëta të oborreve të shtëpive të vjetëra, kishte tunelin antik romak, ende funksional dhe kishte përballuar bombardimet e mëdha si qytet qëndrestar, përderisa blloqet e betonit rreth tij qenë shkatërruar tërësisht. “Nën Homsin e gjakosur, shtrihet një qytet i mumifikuar që është një mal i virgjër i arkitekturës nëntokësore”, thotë Marwa, duke treguar edhe për lumenjtë nëntokësorë e tunelet antike, sikur të ishte një qytet i përrallave.
“Lufta nuk i ndryshon njerëzit, ajo ua tregon fytyrën e vërtetë”, thekson Al-Sabouni. Ajo fillon duke tregur se si është punësuar të punojë si arkitekte dhe planifikuese urbane për komunën e Homsit dhe se si e ka braktisur atë punë për arsye se donte “të largohej nga atmosfera e përtacisë, garës së pandershme dhe korrupsionit të shfrenuar”. Madje, Marwa edhe ironizon edhe tregon realitetin e saj duke theksuar se shkolla siriane e arkitekturës sipas saj nuk është “modernizmi” (që është shkollë e keqe) por “hanë-hanë-izmi”, sepse bëhet sipas “hanës” së personave që qeverisin. Ajo u referohet kryetarëve të komunave që kanë shkatërruar pamjen e qytetit para luftës, duke dhënë leje për ndërtim oligarkëve, duke rregulluar lagjet ku jetojnë vetë e me radhë. Krejt kjo pa asnjë vetëdije për qytetin e vjetër, për harmoninë, por vetëm sipas tekeve dhe dëshirave dhe interesave të qeverisjes lokale. Dhe, Marwa flet për Homsin si arketip i të gjitha qyteteve siriane. Ajo rënkon kur tregon se 60 % e qytetit të vjetër është shkatërruar dhe nuk mund të kthehet. Marwa rrëfen edhe për logun e betejave në luftën e fundit siriane: Baba Amr. Baba Amr është paralagje e Homsit e lënë jashtë syve të qeverisjes e cila ka nisur protestën e para kundër qeverisjes. Ajo qe shkatërruar më 2013, pothuajse krejtësisht dhe ka ra në daurt e qeverisë edhe si tokë për t’u “rindërtuar”. Marwa jep një pamje të historisë, psikologjisë e ekonomisë dhe gjithë çfarë është zier në bark të kësaj lagjeje që të bëhet shesh beteje në luftën e fundit, ku civilët vdisnin, tanket gjuanin mbi ta, duke ndjekur rebelët opozitarë. Marwa tregon se kishte disnjeuar një plan për Baba Amr dhe kishte fituar në një garë të UN Habitat –it, të bazuar në rindërtimin e kësaj qyteze, si paralagje e Homsit, duke u nisur nga ideja e ndërtimit të arkitekturës mbi natyrën psikologjike dhe shpirtërore të banorëve lokalë. Por, qeveria kishte refuzuar dhe ndërtuar sipas planit të tyre të betonit.
Por, Marwa thotë se mbi të gjitha, plagët më të mëdha në këtë qytet janë plagët në marrëdhëniet njerëzore. Lufta ka shkatërruar njerzoren e jetës komunitare në qytet. Pas katër vitesh luftë dhe armpushimit kishte nisur një lloj riparimi i dëmeve. Dhjetëra mijëra shtëpi janë shkatërruar, mijëra civilë janë vrarë, miliona fate janë humbur. Qyteti i “andrrave” të Marwa qe shkatërruar edhe si shtëpi, edhe si shesh, edhe si banesë, edhe si prehje, edhe si gjallëri. Ajo tregon se si ishte kthyer në qytetin e vjetër ku kishte një studio arkitektonike dhe kishte takuar njerëz që po rënkonin, qeshnin, fotografoheshin e gërmonin në gërmadhat e shtëpive të tyre.
Në pjesën e fundit të librit ajo flet për betejën për shtëpi. Në esencë, Marwa synon t’i përgjigjet pyetjes së çfarë është shtëpia. Pasi që përgjigja vjen nga një banore e arkitekte që njeh fytyrën e shkatërrimit të qytetit ku banon më mirë së të gjithë ne, ajo doemos duhet të jetë përgjigje sa filozofike aq edhe etike. “Nuk kam pasur asnjë ide se çfarë është shtëpia derisa sa i kam parë njerëzit e vendit tim duke vrarë njëri tjetrin për ta definuar atë ” thotë ajo dhe shton se “derisa ta dijnë se çfarë është “shtëpia” arkitektët nuk mund të krijojnë banesë apo qytet.” Ajo flet për faktin se sa e kushtueshme është të kesh shtëpi në Siri, përderisa ka tokë të majftueshme dhe fajin nuk e hedh askund tjetër pos te “mafia e ndërtimit” që është krejtësisht e korruptuar. Kjo mafi e ndërtimit krijon monstrume betoni në të cilat vendos populatën siriane të afruar pranë qyteteve që ofrojnë mundësi pune. Dhe kjo ‘mafi ndërtimi’ është e drejtuar, sipas saj, nga qeveria që bashkëpunon me sektorin privat, publik dhe me pronarët e tokave, duke krijuar një frankenshtajn arkitektural që krijon “kolibe” katrore shumëkatëshe, të papërfunduara, të palyera dhe të paharmonizuara me ambientin përreth. Dhe në këtë mes arkitekti është fantazmë që nuk shihet. Por, Marwa akuzon edhe profesorët e saj se nuk e kuptojnë as traditën islame në arkitekturë e as idenë e rivitalizimit dhe as krijimin e ri arkitektonik. Ata kanë edhe universitete private dhe ndërtojnë blloqe banimi sipas planeve të qeverisë. Marwa rrëfen për përjetimet e saj në betejën për të doktoruar dhe gjatë studimeve universitare, për arsye të mospajtimit konceptual mbi arkitekturën.
Ajo pohon se qeveria siriane ka shkatërruar çdo rend civil, çdo aspiratë civile ndaj jetës së lirë, duke dashur ta kontrollojë secilin sektor të shoqërisë. Populli ka filluar të humb identitetin e tij sepse ka humbur shtëpinë e tij si shenjusin kryesor të përkatësisë së tyre.
Ky libër vjen si freski nga rajoni i Lindjes së Mesme, përmes mendimit të hollë, pasionit të çiltër për shtëpinë si koncept ku mund të jetohet me tjetrin, rrëfimit autobiografik të një arkitektje të trajnuar, ideve origjinale dhe të guximshme të një gruaje që mendon me kokën e vet, në një kohë kur pikërisht këto gjëra janë në teh shpate ose janë shkatërruar nga sektarizmi, tribalizmi, sektarizmi, oligarkia dhe absolutizmi qeveritar. Tregimi i Marwa Al-Sabounit krijon pamje analogjike me Prishtinë e dekadave pas Luftës së Dytë Botërore, kur qe shkatërruar në emër të betonit komunist shtetëror dhe Prishtinën e pas luftës së fundit, kur qe shkatërruar nga betoni privat me leje shtetërore. Por për ne, zyrtarët shtetërorë, ndërtuesit e arkitektët tanë pyetja mbetet ende e hapur: çfarë është shtëpia?
