Arkitekturë
Besar Krasniqi i pari në garën për “Dizajnin më të Mirë” me tavolinën e drurit

Nga gara për dizajnin më të mirë e organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit në Kosovë, dolën fitues shumë studentë, të cilët paraqitën punime mjaftë interesante.
Një ndër finalistët e kësaj gare, Besar Krasniqi, kishte paraqitur një model tejet interesant, për të cilin ka folur ai vetë për Ndërtimi.info. Për garën studentët ishin njoftuar në fakultet pasi ajo ishte organizuar në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës, dukë iu dhënë hapësirë të gjithë studentëve për pjesëmarrje.
Për Krasniqin kjo ishte hera e parë që merrte pjesë në një garë, por i shpërblyer me çmimin special nga kompania SCM i cili u dha për herë të parë, duket se kjo nuk do të jetë e fundit dhe çmimi ka shërbyer si një motivim i madh për të.
I pyetur se si ishte vlerësuar projekti i tij nga anëtarët kompetentë, Krasniqi u shpreh:
“Në aplikim ishin paraparë disa kritere sa i përket realizimit, inovacionit dhe dizajnit të projekti, mirëpo përveç këtyre kritereve, arsyeja e vlerësimit të projektit tim ishte për shkak të unitetit të tij, vlerësuar kështu nga Kompania SCM, e cila njëkohësisht është kompania më e madhe e drurit në botë. Në mesin e 40 kandidatëve, unë u vlerësova me çmimin e parë nga udhëheqësit e kësaj kompanie”, tregon ai.
Punimi i Krasniqit paraqet një tavolinë e cila përdoret në sipërfaqe në qëndrim ditor, por në raste të veçanta, ajo edhe mund të transformohet në forma dhe dimensione më të mëdha.
“Forma e tavolinës është e ndërtuar në formë të piramidës së përmbysur, e cila mund të punohet nga materiali i drurit masiv ose të lameluar. Ky dizajn i kësaj tavoline është monumental dhe është vlerësuar për shkak të thjeshtësisë dhe funksionit që ka në paraqitje”, thotë ai.
Ky punim do të financohet dhe do të realizohet nga kompania SCM ndërsa në edicionin e ardhshëm të kësaj gare, punimi i tij do të prezantohet si model unik në ekspozitë, duke shërbyer si shembull për garuesit e tjerë. Gjithashtu, i njëjti do të ekspozohet edhe në Itali si punim në kuadër të kompanisë SCM.
Ai shpreson që organizime të tilla të bëhen traditë në Kosovë.
“Organizimet e tilla shpresoj te bëhen traditë në Kosovë dhe numri i tyre të rritet, sepse janë vlerë e shtuar e shoqërisë, përkatësisht atyre që u dedikohen artit, dhe mundëson njëkohësisht zbulimin e talentëve të rinj të vendit tonë”, shprehet Besar Krasniqi.
Këtë vit u mbajt edicioni i tretë i Konventës të Industrisë së Drurit në Kosovë e i cili do të vazhdojë në vitet e ardhshme me plotë sesione dhe shpërblime për dizajnin e drurit.
