Arkitekturë
Bërthama e Paviljonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut tashmë në libër

Holli i Bibliotekës Kombëtare, mbrëmjen e sotme ishte mbushur përplotë studentë, profesionistë e dashamirë të artit. Kjo për arsye të promovimit të librit, “The City is everywhere” apo “Qyteti është kudo”, të Paviljonit të Kosovës i cili përfaqësoi shtetin tonë në Bienalen e Arkitekturës në Venedik, shkruan Ndërtimi.info.
Arkitektja, Eliza Hoxha promovoi librin i cili sjellë pranë gjeneratave të reja dhe të vjetra, dhe të atyre që do vijnë, copëza tregimesh e historish të Kosovës së viteve të 90-ta, të treguara nga njerëz të ndryshëm të cilët shpalosin përjetimet e tyre, dikush si fëmijë, dikush si i ri, dikush si student, dikush si bartës i familjes, ose dikush si pjesëtar i proceseve politike apo edhe atyre historike dhe aspekteve ekonomike.
Si kuratore e paviljonit, Hoxha mori fjalën duke falendëruar një skuadër të madhe për punën e tyre të palodhshme përgjatë gjithë periudhës së krijimit të paviljonit, prezantimit të tij dhe deri tek krijimi dhe prodhimi i librit.
Ajo sqaroi idenë e temës së paviljonit, tashmë libër “The City is everywhere” apo “Qyteti është kudo”, duke thënë se ka rëndësi të veçantë për të.
“Po du me nisë me idenë pse e kemi përzgjedhë temën e viteve të 90-ta. Personalisht për mua ka qenë temë shumë e rëndësishme ideja e rikthimit të një gjendje të cilën e kemi kalu, e kemi përjetuar si momentum normal në një situatë krejt abnormale, domethënë ideja e shkollave-shpija, ideja e paralelizmit, ideja e një qyteti të dyfishtë, një qyteti i cili për njerëzit e ndryshëm që kanë jetuar në të nuk ka qenë i njëjtë, nëse veç e marrim dhe e analizojmë si të tillë. Pastaj, aspekti i vullnetarizmit dhe i mobilizimit social që sigurisht është bërë me idenë e momentit kur ne kemi qenë si viktimë, por që mbas luftës ka qenë, por s’ka qenë prezent si përpara luftës, edhe ajo është një brengë që mua më preokupon vazhdimisht që ne është mirë kur bëhemi bashkë kur kemi nevojë për njëri tjetrin në kohë të vështira. Unë mendoj që duhet me u kujtu edhe në kohë të mira me qenë pranë njëri tjetrit edhe me e ndihmu me aq sa mundemi procesin e shtet-bërjes”, është shprehur ajo.
Duke shpjeguar për temën e Bienales se Arkitekturës në Venedik, e që ishte “Free space” apo “Hapësira e Lirë”, ajo tregoi se çfarë në të vërtetë nënkupton “hapësira e lirë” në Kosovë, e cila është paraqitur përmes satelitëve.
“Ajo që ka qenë intriguese është ajo se çka nënkupton hapësira e lirë në Kosovë, hapësira e lirë e që është krijuar në kohë okupimi e që ne e kemi trajtuar në paviljonin e Kosovës, e që janë këto oazat ose satelitët hapësinor, që i themi ne, shtëpitë e vogla që e kanë hapur derën për me e përqafu sferën publike. Ideja e asaj se çka i përket dikujt e çka dikujt tjetër ka filluar edhe është shkrirë kufiri midis publikes, privates ose asaj çka është intime ose transparente, domethënë ka filluar edhe është zhvendosur ose është zbeh, dhe diku diku edhe është zhdukur fare, edhe ka prodhuar një qytet komplet tjetër, që ne kurrë nuk jemi kthy me e analizu se pse edhe qysh është prodhuar ai qytet” tregon Hoxha.
Më tej, ajo potencoi faktin se përse kishin zgjedhur që kësaj radhe të mos krijonin një katalog që prezanton paviljonin, por të botonin një libër.
“Libri pak është njëfarë platforme që sjellë ide të ndryshme, përjetime të ndryshme, qofshin ato personale apo edhe interpretime të momenteve ose situatave të caktuara, dhe mund të jetë një bazament i mirë për të gjithë të tjerët që në fusha të caktuara vazhdojnë të bëjnë hulumtime për kohën e viteve të 90-ta. Ky libër, besoj që ka me shërby grup-moshave të ndryshme, gjeneratave të ndryshme dhe akterëve të ndryshëm me gjetë një copë të vetën edhe një kujtim të tyre në vitet e 90-ta”, shtoi Hoxha.
Pjesë e panelit folës ishte edhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili paviljonin e cilësoi si një përfaqësim shumë dinjitoz të Kosovës në Bienale.
“Duke marrë si shkas nga përfaqësimi shumë i dinjitetshëm e tejet serioz i shtetin tonë në bienalen e Venedikut, dua të theksoj se me prezencën e saj në sfidën kulturore e artistike ndërkombëtare në këto vitet e fundit, Kosova ka dhënë shembullin më të mirë të suksesit në botën e diplomacisë kulturore. Duke qenë se Kosova në vazhdimësi ka prodhuar lajme për sukseset e artistëve tanë kudo në botë, kjo ka ndihmuar edhe në forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë si dhe krijimin e një imazhi të mirë për republikën e Kosovës”, tha Gashi.
Ndërsa edhe Jehona Shyti, komisionere e paviljonit dhe Ardita Byci treguan për vështirësitë përgjatë punës dhe gjithashtu falënderuan kuratoren e paviljonit, Eliza Hoxhën.
“The city is everywhere” prezantoi Kosovën në edicionin e 16-të të Bienales së Venedikut e cila u mbajt në Maj të këtij viti.
