Aktuale
Berisha: Gjendja e mjerueshme e varrezave të dëshmorëve në Prishtinë detyron familjarët t’i zhvarrosin ata
Blerim Berisha sekretar në Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve në Prishtinë ka thënë se varrezat e dëshmorëve në këtë komunë janë në gjendje të mjerueshme.
Ai thotë që edhe pas 20 vjetëve, në vend se Prishtina të jetë shembull për komunat tjera, varrezat në këtë komunë janë më së keqi.
“Familjet janë shumë të mllefosura me organet e komunës që gjendja e varrezave është në gjendje të tillë”, ka thënë ai.
Ai në emisionin “038” në KTV, tha se kanë bërë kërkesë për rregullimin e tyre, por sipas tij, askush nuk po ndërmerr masa.
“Kemi familje që e ka zhvarrosë djali e tij. Ai e ka quar djalin e tij në kompleksin e varrezave në Penu, i cili është ndër komplekset më të rregulluara. Dëshmori i zhvarrosur është Adnan Maliqi”, ka thënë ai.
Ai thotë se komuna ka qenë e njoftuar për zhvarrimin, mirëpo sipas tij, nuk kanë marrë asnjë masë.
Berisha thotë se Komuna e Prishtinës ka buxhet që t’i rregullojë këto varreza, njëjtë si varrezat tjera.
Sipas tij, në kompleksin e Marevcit kanë filluar të rregullohen varrezat.
“E vetmja ka mbetur në Prishtinë pa u rregulluar”, thotë ai.
Lidhur me ndarjen e banesave për kategoritë e dala nga lufta, ai thotë se kanë bërë vazhdimisht kërkesa në komunë, ku në Hajvali janë ndarë vetëm 6 banesa nga 50 sosh.
“Ne kemi kërkuar që për familjet e dëshmorëve të mos ketë kritere por ata kanë kërkuar që të vendosën kritere. Ne i kemi bërë kërkesë komunës, për ndarjen e një pllaci prej 5 hektarësh në Matiqan dhe ajo të ju jepet familjeve të dëshmorëve”, tha ai, duke shtuar se nuk kanë marrë ende përgjigje nga komuna.
E, për problemin e tatimit në pronë për familjet e dëshmorëve, Berisha thotë se me ligj parashihet që familjet e dëshmorëve të lirohen nga tatimi, ani pse një gjë e tillë sipas tij, nuk po ndodhë.
“Kjo është një neglizhencë nga ministria përkatëse. Shumë familje kanë mbetur edhe me borxhe të papaguara. Unë ju bëj apel ministrisë përkatëse që të zbatojnë ligjin”, ka thënë ai.
Ndërkaq për çështjen e pensioneve, ai ka thënë se edhe këtu iu është bërë padrejtësi familjeve të dëshmorëve.
Ai thotë se prindërve iu është kërkuar të zgjedhin ose pensionin e moshës ose pensionin e dëshmorëve.