Aktuale
Bedri Hamza merr në dorë buxhetin e Kosovës, që momentalisht ka 467 milionë euro
La zyrën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe u ngjit përsëri në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës Bedri Hamza, saktësisht në Ministrinë e Financave, të cilën sërish do ta drejtojë.
Tash ministri Hamza bëri të ditur se do të bëjë përpjekje, nuk do të kursej asgjë, do ta japë maksimumin që brenda mundësive reale gjërat të ecin në drejtim të duhur.
“Besoj në bashkëpunim edhe me ministrat e tjerë kolegë. Jam i sigurt edhe në përkrahjen dhe dinamikën e kryeministrisë dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore e ndërkombëtare do të arrijmë ta ruajmë stabilitetin makro-fiskal, ta mbajmë deficitin buxhetor brenda parametrave të pranueshëm, ta ruajmë bilancin bankar dhe të jemi të kujdesshëm me borxhin publik” tha ai.
Ndërsa, ministri i deritanishëm Agim Krasniqi në përfundim të mandatit të tij, duke uruar Ministrin e ri Hamza për pozitën e re u shpreh: “Ju dëshiroj mirëseardhje. Ju po ktheheni në shtëpinë tuaj. Kam kënaqësinë që po jua dorëzoj sot detyrën. Unë pres, ashtu siç besoj presin dhe të tjerët, se do të keni sukses. Nuk është kohë e lehtë, por besoj që përvoja juaj, profesionalizmi juaj, do të ketë sukses.”.
Këtë pozitë Bedri Hamza po e merr në dorë, kur Kosova në buxhetin e saj ka edhe 467 milionë euro, shumë për të cilën ish-ministri Krasniqi tha që nuk jep siguri shumë të madh, pasi Qeveria ka obligime për të kryer.




