Aktuale
“Bechtel & Enka” thotë se po vazhdojnë punimet në autostradën “Arbën Xhaferi”

Punimet në ndërtimin e autostradës për Shkup, “Arbën Xhaferi” janë duke vazhduar sot, pasi u ndërprenë mbrëmë nga Komuna e Hanit të Elezit.
Edhe pse Komuna e Hanit të Elezit ka njoftuar se nuk do të lejohet vazhdimi i punimeve, Ela Ruci, zëdhënëse e kompanisë “Bechtel & Enka”, që po ndërton autostradën, tregoi për Ndërtimi.info se punimet kanë vazhduar në mëngjesin e sotëm.
“Kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit i kemi kthyer përgjigje me shkrim për shqetësimet ka pasur, më 5 tetor dhe punimet po vazhdojnë. Përgjigja është zyrtare, që i ka shkuar kryetarit të komunës dhe punët po vazhdojnë. Zotëria i ka ndërprerë punimet dje në darkë, sot në mëngjes ne kemi filluar punimet”, tha jo.
Mirëpo, Ruçi nuk ka treguar se cila është përgjigja që i është dhënë kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.
Ndërkaq, Komuna e Hanit të Elezit ka njoftuar sot se kompanisë “Bechtel & Enka” i janë ndërprerë punimet për shkak të dëmtimit të pronës publike dhe private, mbylljes së disa rrugëve ekzistuese dhe zhurmës së madhe gjatë natës nga ana e kompanisë. Përveç, punimeve kjo Komunë ka njoftuar se me kompaninë ka vendosur të ndërpresë edhe komunikimin dhe bashkëpunimin.
Tutje, komuna ka thënë se deri sa kompania “Bechtel & Enka” nuk do ti riparojë të gjitha dëmet e shkaktuara në pronat publike komunale dhe ato private të pa shpronësuara, nuk do t’i lejohet shfrytëzimi i pronës publike komunale.
