Aktuale
“Bechtel & Enka” mohon bllokimin e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”
Punimet në autostradën e dytë më të madhe në vend “Arbën Xhaferi”, që lidh Prishtinën me Shkupin nuk po ju pëlqejnë banorëve të zonës përreth saj.
E, ata sot kanë vendosur që pakënaqësinë e tyre të dalin ta shprehini në vend punishte.
Siç u raportua sot, banorët kanë bllokuar procesin e punës në fshatin Trimor të Kaçanikut me arsyetimin se janë dëmtuar rrugët afër shtëpive si dhe pronat e tyre.
Mirëpo, se punimet janë bllokuar e ka mohuar Ela Ruçi, zëdhënëse e kompanisë “Bechtel & Enta” që është duke i kryer punimet në këtë autostradë.
Ruçi për ndërtimi.info ka thënë se banorët sot kanë protestuar dhe është një moment diskutimi për shqetësimet e tyre.
“Kjo nuk do të thotë që janë bllokuar punimet. Punimet nuk janë në një pikë ku dalin banorët zakonisht. Në qoftë se ka një protestë nga banorët, siç ka pasur në gjithë historinë e ndërtimit të veprave të tilla të mëdha, banorët do të sqarohen. Por, kjo nuk do të thotë se janë bllokuar punimet, ka një moment të diskutimit më banorët për shqetësimet e tyre”, ka thënë ajo.
Më tutje zëdhënësja e “Bechtel & Enka” ka thënë se banorët kanë dal në seksionin e tretë të autostradës, aty edhe ku janë duke u zhvilluar punimet.
Ndërkaq, punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” janë përcjell edhe me probleme e dëme të tjera. Në muajin tetor u shënuan dy vdekje të punëtorëve të kompanisë “Bechtel & Enka” gjatë procesit të punës. Ndërsa, po në këtë muaj disa familje në fshatin Kovaçec të Kaçanikut janë detyruar që të shpërngulen pasi si pasojë e punimeve në autostradë ka rrëshqitur dheut deri tek shtëpitë e tyre.