Aktuale
BE jep 35 milionë euro për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Christian Danielson, ai i BERZH-it në Tiranë Matteo Colangeli dhe zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Erion Luçi firmosën marrëveshjen e grantit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe degëzimin me Rinasin, njofton kumtesa.
Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë EUR. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet është në shumën prej 35,435,000 Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.
“Sot është dita e Evropës dhe në këtë ditë Bashkimi Evropian mbështet një prej projekteve më të rëndësishme, të parin pas dhjetra vitesh në sektorin e hekurudhave në Shqipëri. Ky projekt do të ndikojë në cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Drejtori për zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielson u shpreh i kënaqur që tanimë me ndihmën e Bashkimit Evropian ky projekt po avancon.
