Aktuale
BE-ja reagon për vdekjen e punëtorit në Obiliq, alarmon për sigurinë në vendin e punës
Të martën e 5 nëntorit një 60 vjeçar ka gjetur vdekjen në vendin e tij të punës në Milloshevë të Obiliqit. Gjatë hapjes së kapakut të cisternës së betonit, ku nga presioni i lartë i ajrit është hapur vetë kapaku, ai kishte marrë lëndime të rënda, si pasojë e të cilave kishte ndërruar jetë në QKUK.
Në lidhje me këtë rast tragjik ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke bërë të ditur se në vendin tonë respektimi i legjislacionit për të drejtat e punëtorëve është në nivel të dobët, raporton Ndërtimi.info.
“Aksidenti tragjik tre ditë më parë në Milloshevë, ku një person vdiq në vendin e tij të punës, thekson rëndësinë e zbatimit të rregullave që lidhen me sigurinë në punë. Shëndeti dhe siguria është thelbësore për çdo punonjës. Është detyrë dhe përgjegjësi morale e kompanive, si dhe Inspektoratit të Punës të kujdesen për mbrojtjen e punëtorëve. BE ka mbështetur Kosovën duke ndihmuar harmonizimin e legjislacionit kombëtar në fushën e kushteve të punës me legjislacionin e BE-së. Ajo ka ndihmuar gjithashtu ngritjen e kapaciteteve të Inspektoratit të Punës. Fatkeqësisht zbatimi i legjislacionit është shumë i dobët pasi numri i viktimave mbetet i lartë me 11 viktima këtë vit. Në këtë rast, bashkëndjejmë me familjen e viktimës”, thuhet në reagimin e BE-së.
Për vdekjet në vendin e punës BE-ja kishte kritikuar insitucionet edhe në Raportin e Progresit. Raporti i Komisionit Evropian nuk kishte vërejtur prosperitet në punën e Inspektoratit të Punës, pasi që siç thuhet në të, ky institucion nuk po e kryen në mënyrë të duhur punën e vet.
“Inspektorati i Punës nuk i ndjek në mënyrë të duhur këto raste, ka shqetësime në lidhje me saktësinë e të dhënave për aksidentet në vendin e punës si dhe nën-raportimin e viktimave. Pasi që shumica e aksidenteve me fatalitet janë shënuar në sektorin e ndërtimit, Inspektorati i Punës duhet ta targetojë në mënyrë më efikase këtë sektor”, thuhet në vlerësimin e Komisionit Evropian.
Viti i kaluar (2018) ishte viti me më së shumti vdekje në vendin e punës, në periudhën e pasluftës në Kosovë, duke u shënuar 23 vdekje.