Aktuale
BE-ja për rrugën në Deçan: E kuptojmë rëndësinë e saj, por të respektohet Zona e Veçantë e Mbrojtur

Shefat e misioneve të BE-së përmes një deklarate për media përshëndesin marrëveshjen ndërmjet anëtarëve të Këshillit për Zbatim dhe Mbikëqyrje (KZM), që Kosova ka detyrim për t’iu përmbajtur legjislacionit për Zona të Veçanta të Mbrojtura dhe zotimeve të saja ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe të drejtave të pjesëtarëve të komuniteteve të saj.
Deklarata e shefave të misioneve të BE-së në Kosovë vjen pas vizitës së tyre në Zonën e veçantë të mbrojtur në Deçan, më 26 qershor 2018.
“Përderisa BE-ja e kupton vlerën e rrugëve që lidhin komunitetet, duhet të respektohen procedurat e aplikueshme. Para fillimit të çfarëdo veprimtarie që prek Zona të Veçanta të Mbrojtura duhet të konsultohet Këshilli për Zbatim dhe Mbikëqyrje (KZM) dhe të respektohen vendimet e tij në tërësi, në interes të ruajtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore dhe për të mbështetur sundimin e ligjit në pajtim me zotimet ndërkombëtare të Kosovës. BE-ja rikujton zotimin e mëhershëm të Kosovës për të mos filluar punimet në rrugë përderisa nuk bëhet planifikim dhe financim i plotë i rrugës anësore, si dhe apelon për respektimin e këtij zotimi”, thuhet në deklaratë.
Në Deçan po kryen punime në rrugën që lidh Kosovën me Malin e Zi.
Me ftesë të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ambasadorët e vendeve të BE-së, anëtarët e Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të kryesuar nga ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Komandanti i KFOR-it Salvatore Cuoci, kishin vizituar punimet në rrugën Deçan-kufiri me Malin e Zi. Ministria që drejton Lekaj pati thënë se ata qenë njoftuar nga afër se punimet janë duke u kryer jashtë Zonës së Mbrojtur dhe se po respektohen ligjet e vendit për zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, duke i ofruar zonës një perspektivë më të mirë zhvillimore dhe qarkullim të lirë të qytetarëve dhe mallrave.
Lekaj kishte thënë se “Manastiri i Deçanit nuk cenohet nga ky projekt infrastrukturor dhe se sikurse në të kaluarën që është mbrojtur nga banorët e kësaj ane edhe tash e tutje do të mbrohet e respektohet”.
Ai ka ripohuar qëndrimin e tij se asnjë veprim brenda zonës nuk do të bëhet pa miratimin e Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe të Manastirit, kurse sa u përket punimeve jashtë Zonës së Mbrojtur, tha se është përgjegjësi dhe kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe se nuk kanë nevojë për leje nga askush, transmeton Koha.net.
