Aktuale
BE-ja jep mbi 76 milionë euro, do të investohet edhe në “Kosova B”
Kosova ka nënshkruar marrëveshjen “e gjelbër” me Bashkimin Evropian për ndërrimin e elektro-filtrave të termocentralit Kosova B dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it në vlerë prej 76.4 milionë euro.
Me këtë rast, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Josep Borrell i cili po qëndron për herë të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës, ka thënë se realizimi i këtij projekti do t’i ndihmojë Kosovës në trajtimin e parandalimit të ndotjes së ajrit.
“Sot jemi këtu për të bërë një investim të madh nga BE-ja, ne jemi të kënaqur që të japim 76 milionë euro që të ndihmojmë Kosovën në trajtimin e ndotjes së ajrit dhe të reduktojmë dyoksid karbonin”, tha ai.
Krahas saj diplomati evropian tha se Kosova duhet të punojë më shumë për të pasur ajër më të pastër pasi gjendja aktuale nuk është e mirë.
“Kosova ka nevojë për lumenj më të pastër, ajër më të pastër, tokë më të pastër. Çështja e shëndetit është shumë me rëndësi dhe të ruhet natyra për gjeneratat dhe brezat që vijnë pas nesh. Ne e dimë këtë më mirë. Ne e dimë që ajri i ndotur është problem madhor për Kosovën, disa qytete të Kosovës janë në mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Prishtina e di këtë shumë mirë, pasi për një kohë të gjatë ka qenë në mesin e qyteteve më të ndotura sa i përket ajrit. Kjo është e vërteta, në përgjithësi termocentralet e thëngjillit janë ndotës të mëdhenj në Evropë që e dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien njerëzore. Kur flasim për jetën, sepse ndotja e ajrit vret”, tha ai.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi duke përmendur të gjitha investimet e Bashkimit Evropian në institucionin që ai udhëheq tha se kanë arritur të eliminojnë disa prej ndotësve kryesorë, derisa mbështetja e fundit prej 76.4 milionë euro për ndërrimin e elektro – filtrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it sipas tij do të jetë jetike për Kosovën dhe sektorin e energjisë.
Krahas saj Thaçi bëri të ditur se edhe KEK-u në këtë projekt do të bëj investime në vlerë prej 54 milionë euro.
“Këto sfida i kemi trajtuar me radhë dhe janë eliminuar të gjitha dhe tani kemi një realitet tjetër. Prandaj u jemi thellësisht mirënjohës dhe falënderues që na mundësuat të tejkalojmë edhe sfidën më të madhe me të cilën jemi ballafaquar deri tani dhe po e tejkalojmë falë mbështetjes financiare prej 76.4 milionë euro për ndërrimin e elektro – filtrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it. Në kuadër të këtij projekti edhe KEK-u me përkushtim maksimal është duke punuar në realizimin e investimeve në vlerë prej 54 milionë euro. Në këtë aspekt, investimi i BE-se në elektro-filtra është jetik për Kosovën dhe për sektorin e energjisë”, tha ai.
E shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se duhet të punohet më shumë për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, dhe se për këtë arsye BE është angazhuar për këtë projekt.
Derisa Rinora Gojani, nga Balkan Green Foundation, ka pasur kritika ndaj qeverive, që nuk kanë pasur asnjëherë prioritet këtë sektor.
“Në realitet, ajri, toka, uji, dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk kanë qenë kurrë prioritete të politikës në Kosovë, pavarësisht ndikimit të tyre në shëndetin e qytetarëve; në mjedis; dhe në potencialin ekonomik e turistik të vendit. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, në Kosovë, brenda vitit, në mënyrë të parakohshme vdesin 760 njerëz si pasojë e ekspozimit në ajrin e ndotur. Kostoja nga ndotja e mjedisit arrin në 300 milionë euro në vit apo rreth 5% e GDP-së”, ka thënë Gojani.
Tutje ajo ka shtuar se është kundër Termocentralit të Ri.
“Fatkeqësisht edhe në dritë të këtyre fakteve, shumë politikan nga çdo anë e spektrit politik, ende e shohin si zgjidhje të problemit energjetik të Kosovës, ndërtimin e një Termocentrali të Ri me bazë qymyrin. Termocentral, i cili përtej çdo logjike mjedisore dhe financiare, sipas marrëveshjes së nënshkruar, favorizon investitorin privat në dëm të interesit publik dhe konkurrencës”, ka thënë ajo. “Një projekt i tillë është i dëmshëm, dhe nuk përkon me të ardhmen evropiane që e synon Kosova”.
Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga kjo kontratë.
“Balkan Green Foundation, organizata ku unë punoj, por edhe organizatat partnere me të cilat bashkëpunojmë i bëjmë thirrje një Qeverie të ardhshme të Kosovës, të tërhiqet nga kjo kontratë. I bëjmë thirrje edhe Bashkimit Evropian të vazhdoj të jetë aleat me ne, në mënyrë edhe më të zëshme po që se është nevoja, në ndalimin e një projekti kaq të rrezikshëm për të ardhmen dhe mirëqenien e Kosovës”, u shpreh Gohani.
Sipas saj Kosova ka nevojë për ndihmë nga Bashkimi Evropian, për presion më të madh në Serbi për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë të arritura në kuadër të Dialogut teknik – të filluara 7 vite më parë.
“Pamundësia e zbatimit të këtyre marrëveshjeve është duke e dëmtuar financiarisht Kosovën, integrimin e tregut energjetik rajonal, dhe sundimin e ligjit në pjesën veriore të Kosovës. Zgjidhja e kësaj nyje politike, jo vetëm që do të zhbllokonte investimin gjerman, prej 75.5 milion euro, në linjën e transmisionit e cila për momentin qëndron e pashfrytëzuar, përkundër pagesës së kredisë nga taksapaguesit kosovar; por edhe do të mundësonte themelimin e një tregu tërësisht kompatibil mes Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Bashkimi Evropian në mënyrë të vazhdueshme e ka mbështetur financiarisht KEK-un, ku prej vitit 2000 vlera shkon në 177 milionë euro.