Connect with us

Aktuale

BE alarmon Kosovën për vdekjet e punëtorëve

Published

on

Punëtorëve të sektorit të ndërtimit për t’i plotësuar nevojat elementare të jetesës shpesh iu duhet të punojnë nën një rrogë minimale e në rrethana të rrezikshme, që në Kosovë jo rrallë herë dinë të bëhen edhe vdekjeprurëse.

Vendpunishtet, për një numër jo të vogël punëtorësh shndërrohen në destinacionin e tyre të fundit, e më të kobshmin. Megjithëkëtë masat për t’i përmirësuar e parandaluar këto fatkeqësi, e për ta shtuar sigurinë në vendet e punës, konsiderohen minimale.

Raporti i Progresit, për Kosovën, i vitit 2019, gjeti në Kosovë ngecje të mëdha në sektorin e ndërtimit dhe në punën e Inspektoratit të Punës, për të cilin tha se nuk po i kryen siç duhet detyrat e veta. Por, përveç ngecjeve dhe regresit të shënuar, po ka edhe mospërputhje shifrash për punëtorët që kanë ndërruar jetë gjatë vitit 2017 dhe 2018.

Derisa në raportin e Komisionit Evropian thuhet se numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në vitin 2017 është 14, Inspektorati i Punës thotë se tek ata janë të lajmëruara 19 raste vdekjesh. E një tjetër vlerësim e ka Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, e cila sipas shifrave të saj zyrtare thotë se ekzistojnë mbi 20 raste vdekjesh në vendin e punës, në 2017-tën.

Shifra jo të njejta u dhanë edhe për vitin 2018. Kjo për shkak se sipas Raportit të Progresit, në 2018-tën ndërruan jetë 21 punëtorë të ndërtimit. Por, Inspektorati i Punës dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se janë 22 raste vdekjesh. Ndërkohë që Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat thotë se në 2018-tën janë evidentuar 27 raste vdekjesh në vendin e punës.

Shifrat jo të njejta të vdekjeve të punëtorëve

Të gjeturat e Komisionit Evropian, publikuar javë më parë në Raportin e Progresit, përveçse po vazhdojnë të jenë temë diskutimi, ato edhe po kontestohen.

Sipas Raportit të Progresit, në vitin 2017, në vendin e punës kanë vdekur 14 persona. Por, lidhur me këtë çështje, për këtë periudhë kohore, të dhëna të tjera kanë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Inspektorati i Punës dhe Sindikata e Sektorit Privat.

Sipas Inspektoratit të Punës, në vitin 2017 janë lajmëruar 19 raste të vdekjeve në vendin e  punës.

Nga këto 19 raste “14 raste kanë rezultuar të kenë ndodhur si pasojë e ushtrimit të veprimtarisë së punës dhe 5 vdekje janë konstatuar nga mjekët si vdekje të natyrshme e jo si pasojë e ushtrimit të veprimtarisë së punës”.

E i pari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për Ndërtimi.info thotë se sipas shifrave të tij zyrtare, në vitin 2017 janë evidentuar mbi 20 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.

2018-ta ishte një tjetër vit tersi për punëtorët e ndërtimit, për shkak të aksidenteve të shumta. Por edhe për 2018-tën, shifrat e vdekjeve të punëtorëve që ndërruan jetë, nuk u thanë njejtë nga organet kompetente.

Raporti i Progresit thotë se në 2018-tën vdekjen në vend të punës e kanë gjetur 21 punëtorë ndërtimi.

“Sa i përket shëndetit dhe sigurisë në punë, korniza mbulon deri në një masë fusha specifike të cilat janë të rregulluara nga direktivat e BE-së. Pavarësisht rregullave ekzistuese për shëndetin dhe sigurinë në punë, fatalitetet në vendin e punë kanë shënuar rritje, prej 14 sa ishin në vitin 2017 në 21 vdekje, sa janë shënuar në vitin 2018”, thuhet në Raportin e Progresit.

Por, MPMS dhe Inspektorati i Punës, thonë se të lajmëruara i kanë 22 raste të vdekjeve.

“Në vitin 2018 janë 22 vdekje në vendin e punës, në mesin e të cilave, 2 vdekje janë vdekje natyrore dhe nuk kanë të bëjnë me ndonjë aksident, 4 raste të vdekjeve që lidhen me ushtrimin e punës kanë ndodhur në shtëpi private (pra, tek këto raste nuk ka marrëdhënie pune), ndërsa në 2 raste, të vdekurit në vend të punës kanë qenë pronar apo bashkëpronar dhe rrjedhimisht edhe këtu nuk ka pasur realcion punëdhënës – punëtor. 14 rastet tjera janë aksidente që kanë ndodhur tek punëdhënësi”, është thënë për Ndërtimi.info, nga Inspektorati i Punës dhe MPMS.

E shifrat e Kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi janë shumë më të larta. Sipas shifrave të tij zyrtare, në vitin 2018-të janë evidentuar 27 raste të vdekjeve.

Një tjetër pikëpyetje ngritet edhe për rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendin e punës. Kjo për shkak se sipas Inspektoratit të Punës, në vitin 2017 ka pasur 50 raste të lëndimeve në vend të punës. Por, sipas Azemit, gjatë vitit 2017 kanë qenë mbi 748 raste të lëndimeve.

Sa po i përmbushë Inspektorati i Punës obligimet e veta

Raporti i Komisionit Evropian nuk vërejti prosperitet as në punën e Inspektoratit të Punës, pasi që siç thuhet në të, ky institucion nuk po e kryen në mënyrë të duhur punën e vet.

“Inspektorati i Punës nuk i ndjek në mënyrë të duhur këto raste, ka shqetësime në lidhje me saktësinë e të dhënave për aksidentet në vendin e punës si dhe nën-raportimin e viktimave. Pasi që shumica e aksidenteve me fatalitet janë shënuar në sektorin e ndërtimit, Inspektorati i Punës duhet ta targetojë në mënyrë më efikase këtë sektor”, thuhet në vlerësimin e Komisionit Evropian.

Por kjo gjetje nuk po pranohet nga Inspektorati i Punës, pasi që sipas tyre, ky vlerësim po bëhet nga institucione apo organizma që nuk posedojnë të dhëna të sakta.

Inspektorati thotë se një gjetje e tillë mund të qëndrojë vetëm në kuptimin sasior.

“Kjo nuk është kështu dhe mbi të gjitha nuk është një çështje lehtësisht e konstatuar në këtë formë, sepse ky vlerësim shpesh po merret nga institucione apo organizma qe nuk posedojnë të dhënat korrekte, apo gjithashtu shpesh po merret vetëm në kuptimin sasior gjë që mund të qëndrojë si i tillë”, thuhet nga Inspektorati i Punës.

I pamjaftueshëm, sipas Raporit të Progresit, për 2019-tën, po konsiderohet edhe numri i inspektorëve.

Sipas gjetjeve të raportit, numri i inspektorëve në krahasim me vitin 2017-të është rritur, por akoma vazhdon të mos jetë i mjaftueshëm.

“Numri i inspektorëve është rritur ndjeshëm në 2018-tën, por akoma vazhdon të jetë i pamjaftueshëm”, thuhet në raport”.

Por, Inspektorati i Punës thotë se numri i vogël i inspektorëve nuk do të thotë moskryerje si duhet të detyrave.

Veç kësaj, Inspektorati ka thënë se kanë bërë përpjekje që puna e inspektorëve të rritet në kuptimin sasior dhe cilësor.

“Siç dihet tanimë nga të gjithë, ne kemi numër të vogël të inspektorëve të Punës në raport me numrin e madh të subjekteve që ushtrojnë veprimtari pune, por edhe kompetencave qe IP ka në monitorim të zbatueshmërisë së legjislacionit dhe është e pamundur të inspektohen gjithë këto subjekte të paktën 1 herë në vit. Kjo nuk do të thotë se puna e inspektorëve të punës nuk kryhet si duhet. Vazhdimisht kemi bërë përpjekje që puna e inspektorëve të punës përveç në kuptimin sasior të rritet edhe në kuptimin cilësor. Për cilësinë e rritur në inspektime flet rritja e besimit në këtë institucion dhe tregues për këtë është rritja e numrit të ankesave që i drejtohen Inspektoratit për mbrojtjen e të drejtave të tyre nga puna në të tri lëmitë e punës( marrëdhënies së punës, sigurisë dhe shëndetit në punë)”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës, për Ndërtimi.info.

Sipas Inspektoratit, në vitin 2017 janë pranuar 724 ankesa individuale për mbrojtjen e të drejtave nga puna, ndërsa në vitin 2018  ka pasur 1724  ankesa individuale për mbrojtjen e të drejtave nga puna.

“Ky është një tregues se nga viti në vit po shtohet besimi i punëtorëve dhe punëdhënësve në Inspektoratin e punës dhe që ky institucion gjithnjë është duke punuar më mirë”, vlerëson Inspektorati.

Por, sipas Jusuf Azemit, mosrritja e numrit të inspektorëve, është e qëllime dhe bëhet për t’i lënë vend mundësisë për të bërë manipulime me kompani, manipulime këto të cilat çdo herë bien mbi shpinën e punëtorëve.

“Ne e kemi thënë se inspektorët nuk janë duke e bërë punën e tyre, pavarësisht se sa është numri i inspektorëve. Në disa vende tjera, numri i inspektorëve është akoma më i vogël, në raport punëtor- inspektor. Është normale që qëllimisht nuk e kanë bërë këtë rritje të numrit të inspektorëve sepse buxhet kanë pasur,  inspektorë kanë pasur, por, qëllimi ka qenë që t’i jepet hapësirë kompanive që i menaxhojnë direkt nga qendrat; Qeveria e Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre konkret. Po e shihni tani që manipulimet që janë bërë, janë bërë kryesisht me kompani të mëdha dhe të vogla gjithë herë në kurrizin e punëtorëve. Është shumë e vërtetë që inspektorët nuk janë duke e kryer punën e vet”.

Megjithëkëtë,  MPMS thotë se vazhdimisht janë duke bërë përpjekje për ta rritur këtë numër dhe se “synimi i tyre mbetet që nëpërmjet rritjes së numrit të inspektimeve dhe rritjes së cilësisë së inspektimeve të ndikohet në zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore nga palët në proces të punës dhe në këtë mënyrë të mbrohet jeta dhe shëndeti i punëtorëve në vendet e tyre të punës”.

Kujtojmë se në 2019-tën është evidentuar rasti i 9 i humbjes së jetës së punëtorëve, gjatë kryerjes së detyrave të tyre, numër ky që po konsiderohet alarmant. Ndërkohë që prosperiteti për rritje të sigurisë së punëtorëve dhe për parandalimin e këtyre fatkeqësive vazhdon të jetë i vogël.

Në lidhje me këtë çështje Ndërtimi.info kishte realizuar një dokumentar për rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të punëtorëve gjatë përmbushjes së detyrave të tyre të punës./Ndërtimi.info/

 

 

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending