Featured
Bashota: Harta Zonale në Prishtinë sjell koeficient të njëjtë për një lagje
Komuna e Prishtinës ka mbledhur të mërkurën mbrëma shumë nga përfaqësuesit e kompanive ndërtimore për të prezantuar Hartën Zonale për Prishtinën dhe asaj që është quajtur nga Komuna e Prishtinës “Prona jonë e barabartë në planifikim”.
Drejtori i Urbanizmit, Genc Bashota ka prezantuar funksionimin e Hartës Zonale, e cila sipas tij nuk është funksionalizuar deri tash për shkak të mungesës së udhëzimit administrativ.
Bashota ka thënë se Prishtina është vendi i parë në Kosovë që do ta aplikojë Hartën Zonale, pasi i ka kryer procedurat paraprake.
“Nuk kemi mundur deri tash, sepse ka kritika pse nuk e keni bërë prej viti 2013. Udhëzimi Administrativ ka dal para disa muajve, ne ndërkohë ne kemi punuar që tri vjet me krijimin e data bazës, jemi i vetmi vend në Kosovë që të gjitha të dhënat i ka fyt në GIR dhe nuk ka asgjë, duke përfshirë edhe infrastrukturën, instalimet dhe të gjitha janë në sistem, që është një punë shumë e madhe që i paraprinë përpilimit të Hartës Zonale”, ka thënë ai.
Premtimi i Bashotës ishte që në mbledhjen e parë të Asamblesë Komunale pas zgjedhjeve do të vihet në votim Harta Zonale.
Këtë premtim e dha edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti që ishte i shkurtë në diskutimin e tij.
“Kjo është e bazuar më së shumti në të gjitha diskutimet që kemi pas, telashet që kemi pas, zgjidhjet që kemi pas si komunë në katër vitet e kaluara. Duke marrë parasysh që Harta Zonale do të jetë veprimi i parë që do të ndërmerret, që është Plani Rregullativ i krejt qytetit, ajo do të iniciohet që në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal. Është mirë që tani të diskutohen këto çështje, që ta dini se si mendojmë ne ta bëjmë Hartën Zonale”, u shpreh Ahmeti.
Risi tjetër që iu prezantua ndërtuesve ishte që koeficienti i njëjtë do të jetë për një lagje. Ajo vazhdohet me një risi tjetër, që nëse toka e dikujt ka rënë që të jetë gjelbërim, atëherë koeficienti i ndërtimit do t’i bartet në një zonë tjetër.
Nga Ndërtimi.info, Bashota është pyetur për planet që i kanë për Rrugën A dhe nëse do të ketë investime infrastrukturore.
Pas pyetjes ai tha: “Rruga është një prej prioriteteve të kryetarit që i ka thënë gjatë fushatës dhe është një prej projekteve infrastrukturore të rëndësishme në mandatin e ardhshëm”, theksoi Bashota.