Aktuale
Banori i Harilaqit: Projekti për deponinë më i dëmshëm, as Vuçiqi nuk kish mujtë me sjellë

Pasi Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk e dëgjoi zërin e tyre kundër ndërtimit të deponisë për mbledhjen e materialeve të rrezikshme, banorët e Harilaqit kanë organizuar protestë.
Nga vendi ku ka nisur shpimi i tokës ku planifikohet të ndërtohet deponia, ata i dërguan porosi qeverisë që ta tërheqë vendimin.
Nëse qeveria nuk tërhiqet nga vendimi, ata paralajmërojnë se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që ajo deponi të ndërtohet.
“Krejt këto që janë afër nesh dhe që na rrethojnë po e bëjnë një deponi që për neve është e palejueshme dhe e papranueshme. Ne sot e kemi filluar protestën dhe kjo protestë është shumë serioze dhe nuk do të ndalemi. Kjo deponi nuk do të ndërtohet këtu”, tha banori Jeton Zogiani.
Banorët tregojnë për dëmet që do t’u shkaktohen.
“Nuk janë këto mbeturina, këto janë mbetje toksike kancerogjene që nuk shuhen me ujë, por rriten me ujë”, tha njëri nga banorët.
Ata thonë se nuk do të ndalen me kaq. Sipas tyre, në ditët në vazhdim, bashkë edhe me anëtarët e tjerë të familjes, do të vendosin edhe tenda për të mos lejuar zbatimin e vendimit të Qeverisë.
Madje, ky banor thotë se as fqinji ynë Serbia, nuk do t’i rrezikonte më shumë sesa Qeveria e vendit të tyre.
“Projekti më i dëmshëm dhe më i vështirë as Vuçiqi nuk kish mujtë me sjellë. Nuk di pse qeveria komunale hesht, sepse qeveria komunale e ka autonominë”, tha banori.
Ministria e Mjedisit gjithashtu nuk e ka marrë për bazë as vendimin e Kuvendit Komunal kundër kësaj deponie. Në protestë, bashkë me banorët, doli edhe një drejtor i kësaj komune, i cili tha njëzëri se janë krah banorëve kundër këtij vendimi të Qeverisë.
Qeveria e Kosovës mori vendimi për ndërtimin e kësaj deponie pasi që Bashkimi Evropian ka ndarë 12 milionë euro për të. Ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi kishte deklaruar se kaq miliona nuk guxojnë t’i lëshojnë nga duart vetëm pse banorët e kundërshtojnë një gjë të tillë.
https://video.gjirafa.com/ne-harilaq-protestohet-kunder-ndertimit-te-deponise
