Aktuale
Banorët në Kravasari protestojnë sërish kundër gurthyesit
Banorët e fshatit Kravasari të Malishevës po ankohen se iu dëmtuan shtëpitë nga një gurthyes që operon afër fshatit.
“Hiç s’ka drejtë me ndërtu një metër prej asaj që e ka ble. Le të punon çka të do, le të bon çka do. Jemi për me i ndihmu, por jo gurthyes që na dëmton neve”, thotë banori.
E sipas tyre institucionet nuk e kanë vizituar fshatin para se ta lejojnë këtë kompani që të punojnë në këtë zonë.
“Dje kanë qenë tre vetë, që realisht kanë qenë shumë të çuditshëm, asgjë nuk kanë ditë. Ata kanë ardh, jo që nuk kanë ardh njëherë me pa se e ka të drejtë me punu, por kanë ardh dje duke pyetur se ku është Banja e ku është Kravasaria”, theksoi banori për klankosova.
Derisa fajtor i lanë zyrtarët komunal. Këta të fundit thonë se puna e tyre është të japin sqarime rreth planit dhe jo të lëshojnë edhe leje për punë.
“Komunës i kërkohet një mendim nëse e prish planin urban, apo nëse komuna planifikon të ndërtoj diçka në atë zonë. Në rastin konkret komuna nuk planifikon të ndërtoj as rrugë as shkollë apo çfarëdo tjetër objekt me rëndësi”, tha zyrtari komunal.
Por gurthyesi “Beton Group” thotë se ka leje nga Ministria e Mjedisit dhe nga Agjencitë për Minerale.
Shefqet Berisha drejtor i kësaj kompanie tha se edhe toka ku nxjerrët guri si lëndë e parë është në pronësi të tij, prandaj kërkon nga banorët që të mos ta pengojnë për punën që ka nisur.



