Aktuale
Banorët e Shipitullës kërkojnë nga Haradinaj ta mbajë premtimin për punësimin e tyre

Pankartat me kërkesat e tyre i morën pothuajse secili banor i Shipitullës.
E kështu të bashkuar në këmbë ata mësynë mihjen sipërfaqësore të thëngjillit në Bardh.
Tek ky vend, protestuesit po kërkojnë punësim, një premtim që sipas tyre iu dha nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kur bënë marrëveshjen e shpronësimit.
“punësimi na është premtuar në kabinet dhe vetë zëri i kryeministrit me 15 shtator 2017 ka qenë shumë i qëndrueshëm se ky proces do të ndodhë dhe do të përfundojë në qershor të vitit 2018-të”, tha banori.
E ata që konkurruan në konkurse të Korporatës Energjetike të Kosovës shprehen të bindur që u diskriminuan pa drejtë dhe se vendet e tyre i morën militantët politik.
“Kam marrë pikë maksimale nga provimi me shkrim, po ashtu edhe intervista me gojë dhe në fund më ka ardh mesazhi nga KEK se nuk jeni kandidat adekuat për këtë pozitë. Nga kjo mund të kuptojmë se punësimi i cili bëhet nëpër institucione publike është partiak, tregon banori për klankosovën.
Ata po paralajmërojnë masa radikale nëse nuk iu realizohet premtimi që iu është dhënë.
“Unë mendoj që mas pari ky bageri këtu më nuk ka me lëviz. Kemi me qëndru këtu krejt së bashku”, shprehet tjetri banor.
E në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj po thonë se banorët keqkuptuan një vendim të kreut të Qeverisë ku thuhet se banorët e Shipitullës dhe Hades kanë vetëm përparësi punësimi në kushte të barabarta.
Ndërkaq zyrtarë të KEK-ut ngjarjen e sotme e kanë quajtur një hyrje të palejuar të personave të paautorizuar të cilët sipas tyre bënë ndërprerjen e punës, rrezikimin e pronës publike dhe prodhimet. Për këtë korporata ka lajmëruar policinë e cila sipas tyre po kthen situatën në normalitet. Më tej zyrtarët e KEK përmes postës elektronike njoftuan se janë duke u koordinuar me qeverinë për kërkesat e banorëve.
