Featured
Banorët e Repës së Podujevës shprehen se bindjet politike po ua lënë rrugën pa asfalt

Për shkak të dëmtimit të madh të rrugës së Repës së Podujevës , Muharrem Rrustemi thotë se të dielën, nënën e tij e bartën me batanije afër një kilometër për ta dërguar te mjeku.
Kjo nuk është hera e parë që ai ballafaqohet me probleme të ngjashme për shkak se rruga është pa asfalt e kur bie shi, rruga bëhet e pakalueshme, raporton KTV.
Tash e 10 vjet, kësaj familjeje dhe rreth 100 banorëve të tjerë të kësaj lagjeje nga kryetari Agim Veliu u është premtuar asfaltimi i rrugës një kilometërshe por që deri tash premtimi nuk është realizuar.
Shkak për këtë, sipas banorëve, është fakti se nuk e mbështesin LDK-në.
Për shumicën e banorëve të këtij fshati, bujqësia është e vetmja punë me të cilën e sigurojnë ekzistencën.
Vërshimet pas reshjeve dhe pjerrtësia e rrugës kanë shkaktuar dëme në bujqësi.
Por në komunën e Podujevës i mohojnë akuzat se asfaltimi i rrugës nuk është bërë për shkak të votës.
Drejtori i Planifikimit Urban, Hamdi Jaha, thotë se vitin e ardhshëm do të shikojnë mundësinë e asfaltimit edhe të kësaj rruge, derisa prioritet për ketë komunë është se ndërtimi i rrugëve bëhet në bazë të numrit të banorëve.
Sidoqoftë, mungesa e rrugës i ka shtyrë këta banorë të mendojnë mundësinë e braktisjes së shtëpive në këtë vend.
