Aktuale
Banorët e Nikajt kërcënojnë me ashpërsim nëse deri të premten s’u bëhet nënkalimi në “Arbën Xhaferi”

Xhemajl Guri, përfaqësues i fshatit Nikaj në Kaçanik, ka thënë se banorët e këtij fshati do të protestojnë ashpër nëse deri të premten nuk u bëhet zgjidhje për nënkalim në këtë fshat që ndahet në dysh nga autostrada Prishtinë – Shkup “Arbën Xhaferi”.
Guri në Express Intervistën në KTV ka thënë se mbyllja e rrugëve të fshatit dhe ndarja e tij në dy pjesë u ka sjellë shumë probleme banorëve, sidomos nxënësve. Sipas tij, tani nxënësit në vend të 400 metrave ecje duhet të ecin katër kilometra për të shkuar në shkollë në pjesën tjetër të fshatit.
“Mbi 60 nxënës vijnë në shkollë. Rruga momentale është shumë e ashpër dhe u kanosen probleme nxënësve. Kemi përdorur të gjitha mjetet që mundemi. Më 13 shkurt 2018 u kemi shkruar kryetarit të komunës, ministrisë dhe kompanisë. Kemi kërkuar që rruga të na bëhet e të mos rrezikohen nxënësit. Kemi has në vesh të shurdhër”, ka thënë ai.
Sipas Gurit, tokat ku ishte projektuar nënkalimi janë shpronësuar, por aty nënkalimi nuk është lejuar nga një komunitet që nuk e do rrugën afër shtëpive.
Sot banorët e këtij fshati protestuan dhe sipas Gurit, ajo ishte vetëm protestë e butë, por që do të ashpërsohet nëse s’u plotësohen kërkesat.
“Në protestë ishim më të butë edhe pse butësia na ka kushtuar. Se kur ka filluar autostrada të ndreqet, hajde projekt nacional, kemi qëndruar në heshtje. Kemi protestuar për rrugë që na kanë lëvizur me pjerrtësi. Nuk e kanë bërë sipas projektit. Plani është dhe dihet. Është tokë e shpronësuar. Ata thonë s’duan t’ia mbajnë kah rruga jonë. Komuniteti i lagjes poshtë, nuk ka lejuar aty pari të kalojë rruga dhe që tre vjet ne presim. Të gjitha mjete i kemi përdorur dhe kemi ardhur deri te një moment ku do të jemi shumë të ashpër. Do të detyrohemi të jemi të dhunshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, i gjithë ky problem është si pasojë e zvarritjes së punëve.
Ai ka bërë të ditur se sot janë takuar me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu. “Ai tha më pritni deri të premten në orën 14:00, se çka po bëhet. Unë them se s’bëhet asgjë sepse ka zgjatë shumë. Mund të vijmë deri te më e keqja. Bechtel Enka është e njoftuar me rastin, ministria po ashtu. Problemi është se s’e kanë ndreq rrugën. Pasi është shpronësuar ata duhet ta kryejnë. Kanë has në pengesa nga komuniteti tjetër. Jam takuar edhe me drejtorin e Bechtelit dhe zëvendësministrin. Më thanë se më vjen keq por kemi problem me pjerrtësi e të tjera. Por ne duam rrugë të ecin nxënësit. Le ta rregullojnë, ndalen llafet. Po duam rrugë jo luks”, ka thënë ai.
Guri ka thënë se nëse deri të premten nuk u bëhet zgjidhje këtyre banorëve, do të ketë edhe mbyllje të autostradës. Sipas tij, dëme ka edhe në bujqësi sepse ka toka që s’kanë dalje në rrugë.
“Ne rrugën e duam. Po s’bëhet mbyllet autostrada. Ne do ta mbyllim të plotë. Mos po lypim diçka jashtë projektit në rregull, por është premtuar dhe është në projekt. S’jemi çmend. Po lypim rrugë jo luks. Të kalojnë nxënësit, të shihen vëllezërit e të zhvillohet bujqësia. Deri të premten presim, prej të premtes protestojmë por jo më butësisht”, ka përfunduar ai.
