Connect with us

Aktuale

Banorët e Gadimes me peticion kundërshtojnë dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyesit

Published

on

Banorët e fshatit Gadime të Komunës së Lipjanit të mërkurën kanë deponuar në këtë komunë një peticion me rreth 400 nënshkrime për ta kundërshtuar dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyesit. Sipas banorëve komuna e Lipjanit dhe individët e caktuar nga ekzekutivi po insistojnë dhënien e dhjetëra hektarëve në shfrytëzim për kompanitë që merren me gurthyes.

Banorët janë ankuar se gurthyesit në këtë zonë po e degradojnë ambientin dhe njëkohësisht po ua dëmtojnë rrugët e fshatrave me makineri të rëndë, andaj dhënia e pronave komunale në shfrytëzim duhet të ndërpritet. Në peticionin e banorëve të Gadimes midis të tjerash thuhet se shumica po i kundërshtojnë vendimet e komunës për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyesit, raporton Koha Ditore.

“Ne si qytetar të Gadimes jemi kundër vendimeve të fundit për dhënien e tokave nga komuna e Lipjanit për gurthyes. Andaj kërkojmë nga kryetari i komunës Imri Ahmeti që t’i ndal këto dukuri shkatërruese kundër Gadimes. Jemi kundër shkatërrimit dhe dhënies në shfrytëzim të parcelave 01049-15, 01049-6, 01049-7 dhe 01049-11”, thuhet midis të tjerash në peticionin e banorëve.

Mujë Lekiqi, njëri ndër organizatorët e këtij peticioni ka thënë se gurthyesit në këtë fshat po e degradojnë ambientin, rrugët dhe njëkohësisht po dëmtohen edhe shtëpitë e banimit, andaj sipas tij, komuna nuk duhet t’i jep edhe parcela të tjera këtyre kompanive.

“Prej vitesh jemi në hall nga gurthyesit, ndërkohë komuna po synon t’ia zgjeroi parcelat këtyre gurthyesve të cilat po e degradojnë ambientin, natyrën, shtëpitë, rrugët etj. Kërkojmë që ankandet publike të komunës për dhënien e pronave në shfrytëzim të anulohen dhe të merren parasysh ankesat tona”, ka thënë Lekiqi. Po ashtu edhe bashkëfshatari i tij Kastriot Hashani, ka thënë se gurthyesit po e degradojnë kodrën e fshatit e cila ka një bukuri të rrallë natyrore. “Kërkojmë nga komuna që peticionet dhe kërkesat tona të merren parasysh nga kryetari dhe Kuvendi Komunal, në të kundërtën ne do të reagojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë midis të tjerash ai.

Po ashtu bashkëfshatarëve të vetë të mërkurën i është bashkangjitur edhe Kuvendari i KK-së në Lipjan nga radhët e PDK-së Arxhend Tasholli, i cili ka thënë se individët e caktuar të ekzekutivit po synojnë që pronat publike t’i jepen në shfrytëzim një gurthyesi nga Ferizaj. Sipas tij, edhe në mbledhjet e fundit ka reaguar disa herë për t’i anuluar ankandet publike për dhënien e këtyre pronave në shfrytëzim, mirëpo kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi i komunës.

“Ne si banorë të Gadimes i’u drejtuam Kryetarit të Komunës Imri Ahmeti dhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal Daut Azemi, me një peticion për ta kundërshtuar dhënin e parcelave komunale në shfrytëzim për gurëthyes. Bëhej fjalë për më shumë dhe dhjetë hektarë të cilat po synohej t’i jepen një kompanie nga komuna e Ferizajt. Personalisht edhe si kuvendar gjatë mbledhjeve të fundit isha kundër këtij fenomeni shkatërrues, që po ushtrohet nga të gjitha pushtetet kundër Gadimes”, ka thënë Tasholli.

Sipas tij, vota e opozitës në Kuvend për ta kundërshtuar ankandin e dhënies së këtyre pronave në shfrytëzim por edhe reagimet tjera të opozitës nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi. “Prandaj unë u detyrova që t’i bashkohem këtij aktiviteti të banorëve Gadimas. Edhe një herë ftoj kryetarin e komunës dhe kryesuesin e KK-së që ta shqyrtojnë peticionin e banorëve me rreth 400 nënshkrime dhe t’i shfuqizojnë vendimet për dhënien e pronave komunale në shfrytëzim për gurthyes”, ka kërkuar Tasholli.

Nga ana tjetër gjatë së mërkurës, kryetari i komunës së Lipjanit Imri Ahmeti nuk ka qenë të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje. Ndërkohë kryesuesi i KK-së, Daut Azemi, ka thënë se do ta shqyrtojnë peticionin e banorëve megjithëse ende nuk i ka shkuar në zyrë nga sektori i administratës. “Ende nuk e kam unë këtë peticion, pra nuk ka ardhur ende. Ndërkaq, në momentin që vjen e shohim dhe e shqyrtojmë”, ka thënë shkurt Azemi nëpërmjet SMS-së.

Image

Aktuale

Qytetarët kërkojnë vazhdimin e subvencionimit të energjisë elektrike

Published

on

Qytetarët që blenë pajisje efiçiente elektrike përmes subvencionimit nga Ministria e Ekonomisë thonë se kjo ka ndikuar në kursimin e energjisë elektrike. Njohësit e fushës së efiçiencës thonë se subvencionimi i këtyre pajisjeve duhet të vazhdojë në masë më të madhe, ndërkaq subvencionimi i faturave ka qenë e gabuar dhe “para e djegur”.

Preportr përmes platformës ECR ka realizuar një anketim online me qytetarë lidhur me ndikimin që mund ta ketë pasur subvencionimi i pajisjeve elektrike në kursimin e energjisë. Në pyetjet e parashtruara janë përgjigjur 145 qytetarë. Mbi 49 për qind e tyre kanë thënë se janë përfitues të pajisjeve efiçiente.

Në bazë të përgjigjeve, qytetarët më së shumti duket se janë të kënaqur me klimat efiçiente. Në pyetjen se sa ka ndikuar kjo pajisje që të shpenzoni më pak energji elektrike, 36.3% kanë deklaruar se ka ndikuar mesatarisht, 31.8% se ka ndikuar shumë, 25% se ka ndikuar pak dhe 6.8% se nuk ka ndikuar fare. Ndërsa, për pompat termike 42% e respondentëve kanë thënë se ka ndikuar mesatarisht, 25% se ka ndikuar shumë dhe 25% se nuk ka ndikuar fare.

Mbi 86% e respondetëve kanë thënë se qeveria duhet të vazhdojë subvencionimin e pajisjeve efiçiente për qytetarët dhe bizneset. Ndërsa në pyetjen se a duhet të subvencionohen faturat e energjisë elektrike, pra që një pjesë të paguhen nga qeveria, 41.7% e respoendetëve janë shprehur se qeveria duhet të subvencionojë faturat e energjisë elektrike.

Një pjesë e respondentëve kanë komentuar në pyetësor se duhet të hiqet pragu prej 800 kilovatë, sepse ky shpenzim bëhet brenda pak ditëve nëse përdorët pompa termike. Nëse shpenzohen më pak se 800 kilovatë, çmimi për një kilovat është 7.9 centë, ndërsa nëse shpenzohen më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, çmimi për një kilovat në këto raste kostoja llogaritët 14.25 centë.

Lidhur me këtë bllok tarifë prej 800kw ka mendime dhe qasje të ndryshme, e para që stimulon qytetarët që kursejnë energjinë elektrike, por në anën tjetër një pjesë kërkon ky prag të hiqet, pasi që është një penalizim për qytetarët që nuk kanë opsione tjera për ngrohje ndërkaq kostoja është e lartë. Edhe kur është vendosur nga ZRrE për këtë prag ka pasur diskutime dhe propozime të ndryshme.

Burim Ejupi thotë se INDEP ka sugjeruar ndarjen e tarifës së energjisë elektrike në tre blloqe, me qëllim të adresimit të nevojave të ndryshme të konsumit. Propozimi i INDEP-it ishte që të përdoret një sistem ku deri në 600 kilovatë përfshin konsumin normal të një familjeje brenda një muaji, për shembull, në raste kur përdoret ngrohja qendrore e qytetit. Për sasinë e energjisë nga 600 deri në 1200 kilovatë-orë, e kemi menduar për ekonomitë familjare që ngrohen me energji elektrike, veçanërisht ato që nuk kanë qasje në forma alternative ngrohjeje.

“Ndërsa, çdo konsum mbi 1200 kilovat-orë e konsiderojmë si shpenzim luksi, dhe për këtë arsye, çdo konsumator që e tejkalon këtë limit do të përballët me një tarifë më të lartë. Ndarja e tillë me tre blloqe siguronte edhe që të gjithë të ndjenin rritjen e të mos kishte dallime të mëdha nga 800 në mbi 800 siç ndodhi me faturat e janarit, por edhe rritja të ishte graduale dhe e përballueshme sidomos për konsumin nën 1200 kilovatë”, thotë Ejupi.

Lidhur me këtë çështje profesori i fushës së energjisë Agron Dida thonë se pragu ndikon që të kursehet më shumë energjia elektrike. Ai thotë se në Kosovë duhet të ketë sa më shumë vetëdijesim të qytetarëve për ta kursyer energjinë elektrike.

“Në sistemin edukimit fillor dhe të mesëm duhet të mbahen ligjërata të veçanta të disa lëndë, e që fokusi të jetë në kursimin e energjisë elektrike dhe energjisë në përgjithësi”, thotë Dida.

Ai thotë qeveria duhet të mundësojë sa më shumë subvencionim në izolim apo pajisje elektrike në mënyrë që të kursehet energjia elektrike.

“Subvencionimi i pajisjeve elektrike efiçiente është shumë i nevojshëm. Në anën tjetër duhet të ndalohet me ligj importimi i disa pajisjeve që nuk janë në përputhje me standardet efiçiente dhe që shpenzojnë shumë energji elektrike. Ato duhet t’i eliminojmë nga tregu”, thotë Dida./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

’53 milionëshi’ – Pse Gjykata e Prishtinës vendosi që kompensimi të zgjidhet në kontest juridiko-civil

Published

on

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtor ish-ministrin Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, ushtruesin e detyrës së drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri dhe sekretarin e MI, Nebih Shatri lidhur me rastin e ‘53 milionëshit’.

Në shpallje të aktgjykimit më 31.01.2024 trupi Gjykues me kryetaren Violeta Namani, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli, kanë marrë vendim që lidhur me dëmin që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga katër të akuzuarit, të zgjidhet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Pra themelorja nuk kishte marrë vendim lidhur me dënimin plotësues që prokuroria e kishte propozuar në aktakuzë.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar që katër të akuzuarit të urdhërohen që në mënyrë solidare të bënin kompensimin e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.

Sipas arsyetimit që ka nxjerrë themelorja më datë 20.03.2024 thuhet se Gjykata nuk kishte vendosur lidhur me dënimin plotësues pasi që pala e dëmtuar, avokatura shtetërorë kishte kërkuar nga Gjykata që rasti të referohet në kontest të rregullt civil.

“Gjykata ka vendosur që pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore e Kosovës, pranë Ministrisë së Drejtësisë, të udhëzohet për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Ngase e njëjta përmes parashtresës së datës 22.11.2022 kishte kërkuar nga Gjykata që të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për shkak se këtë të drejtë do ta realizonin në procedurë të rregullt”- thuhet në Aktgjykim.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga Valdet Gashi dhe Atdhe Dema, përpos kompensimit të dëmit kishte kërkuar si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike, për të pandehurit që do të shpallen fajtor.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për Kallxo.com kishte thënë se çështja e dëmshpërblimit për rastin e ‘53 milionëshit’ është çështje e Gjykatës për të cilën “nuk mund të përzihen”.

Durmishi kishte deklaruar për Kallxo.com se varësisht se si përfundon si proces do të shohin se çfarë vendime do të marrin si Ministri.

“Kjo është çështje e Gjykatës dhe në vendime të Gjykatës nuk mund të përzihem. Janë dy raste të ndara, nuk është vetëm çështja e 53 milionëshit, është çështja edhe e 44 milionëshit, njëra është që janë paguar 53 milionë në emër të dëmshpërblimit në kohëzgjatje të afatit të kryerjes së punimeve, dhe tjetra është 44 milionë për punë shtesë edhe pse kontrata ka qenë me “çelësa në dorë” që nuk lejohet të ketë punë shtesë. Pra gjithsej 96 milionë, i mbetet gjykatave të marrin vendime meritore” – kishte thënë Durmishi në një prononcim për Kallxo.com./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gratë arkitekte në një fushë të dominuar nga meshkujt: A mund të jetë ndonjëherë arkitektura e lirë nga seksizmi?

Published

on

Një realitet tronditës duket se anashkalohet kur bëhet fjalë për vendin e punës. Ka shumë mundësi që gratë i humbasin për shkak të “rregullave” që njerëzit vendosin në shoqëri me të cilat shumë jetojnë dhe janë mësuar.

Kur mendohet për mjedisin e ndërtuar, njeriu mendon për trashëgiminë dhe krijimet kulturore të ndikuar nga ajo që njerëzit mendojnë dhe besojnë, duke shfaqur vlerat dhe traditat në shoqëri. Mendoni për rrokaqiejt dhe çfarë përfaqësojnë ata – Fuqia dhe dominimi, të cilat shpesh shoqërohen me maskulinitetin.

Arkitektura është një fushë e njohur për vështirësinë e saj; Studimet tregojnë se është e dyta më e vështira pas mjekësisë, duke e bërë automatikisht një fushë dominuese nga meshkujt në një botë stereotipike. Sipas gjetjeve nga anketa e Architects’ Journal, 66% e arkitekteve femra kanë përjetuar seksizëm në karrierën e tyre dhe 88% e grave janë ndjerë të kufizuara dhe të minuara vetëm sepse kanë fëmijë. Me këtë u tha, mospërputhjet e pagave të gjetura midis grave në industrinë e arkitekturës janë shqetësuese, ku burrat fitojnë më shumë se gjysmën e pagës së një gruaje, duke e vënë atë në disavantazh nëse ajo është beqare, e martuar ose pa fëmijë.

Gratë filluan të studionin arkitekturë dhe të fitonin diploma në vitet 1800, kur Louise Bethune, vendase nga Buffalo, ishte arkitektja e parë femër e njohur që hapi firmën e saj në Shtetet e Bashkuara. Të qenit një arkitekte femër dhe një udhëheqëse shpesh nënkupton të etiketohesh si “shefe” ose “i mprehtë” në vend që të njihet si një profesioniste ambicioze dhe e suksesshme e aftë për udhëheqje të vërtetë (Gohel, 2023). Ai gjithashtu përfshin përballjen me sfidat në vendin e punës që i shtyjnë gratë të përpiqen për përsosmëri, pasi çdo gabim mund të shihet si shenja dobësie ose paaftësie. Hulumtimet tregojnë se arkitektet femra, të cilat janë gjithashtu nëna, mund të hezitojnë të zbulojnë statusin e tyre prindëror tek punëdhënësit, nga frika se kjo mund të pengojë përparimin e tyre në karrierë apo edhe të çojë në humbjen e vendit të punës.

Për më tepër, këto nëna, të cilat janë të apasionuara pas punës së tyre arkitekturore, mund të ndihen të hezituar të kërkojnë orar fleksibël pune nga punëdhënësit e tyre. Ndonëse marrëveshje të tilla mund të tolerohen, ato shpesh priten me mosmiratim dhe kryesisht me keqardhje. Me sa u tha, nga 56 shkollat e arkitekturës të akredituara nga RIBA në Mbretërinë e Bashkuar, 12 drejtohen nga gra, të cilat përbëjnë 21%. Njëkohësisht, janë vetëm katër nga tridhjetë redaktore femra në revistat akademike në arkitekturë, që rezulton në 8% të redaktoreve femra.

Statistikat zbulojnë një realitet të zymtë në botën e arkitekturës: gratë marrin çmime arkitekturore si Medalja e Artë shumë më rrallë se burrat.

Si përfundim, seksizmi, diskriminimi në vendin e punës dhe objektivizimi i grave janë koncepte që ekzistonin dekada më parë, të cilat rezultuan në shoqëri patriarkale që vendosën shumicën e grave në disavantazh. Megjithatë, përkundër gjithë padrejtësisë, ka një numër të madh modelesh femrash që mund t’i shohin shumë, të cilat kanë sfiduar të gjitha llojet e stereotipeve dhe kanë arritur të kenë sukses dhe të udhëheqin në një fushë ku gratë nuk kanë zë. Arkitekte si Zaha Hadid, e cila ishte gruaja e parë që mori Çmimin e Arkitekturës Pritzker në 2004 dhe e para që fitoi Çmimin e Medaljes së Artë nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA), u japin shpresë arkitekteve të reja femra që janë të pasionuara pas fushë, por mbahen prapa nga frika./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending