Aktuale
Banorët e fshatit Gjonaj këmbngulin të mos i dërgojnë fëmijët në objektin e ri shkollor
Fillimi i vitit të ri shkollor ka nxjerr edhe njëherë mbi sipërfaqe pakënaqësinë e banorëve të fshatit Gjonaj të Prizrenit, pasi objekti i ri shkollor është larg nga të dy pjesët e fshatit.
Banorët e fshatit Gjonaj shprehin shqetësimin se fëmijët e ciklit të ulët përpos që duhet të bëjnë rrugë të gjatë duhet ta kalojnë nëpër rrugë të rrezikshme të cilat nuk kanë trotuare.
Ata kërkojnë nga organet komunale që ta mbajnë premtimin, që fëmijët e ciklit të ulët ta vazhdojnë mësimin në objektet e vjetra, ndryshe, ata shprehen të vendosur se nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, shkruan PrizrenPress.
Këtë shqetësim Haziz Hodaj, ua ka paraqitur, kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe Drejtorit të Arsimit, në mbledhjen e Komitetit për politikë dhe financa, duke ua përkujtuar marrëveshjen në mes tyre.
Hodaj kërkoi të bëhet një zgjidhje urgjente sepse tha ai banorët e fshatit Gjonaj janë këmbëngulës që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë. “Banorët kanë mbajtur një takim ku janë shprehur të vendosur në qëndrimin e tyre” ka thënë Hodaj.
Në shqetësimin e paraqitur, as kryetari i Komunës dhe as Drejtori i Arsimit, nuk i kthyen përgjigje Hodajt.
E drejtori i Arsimit Zahadin Shemsedini i pyetur lidhur me objektin në fshatin Gjonaj ka thënë se për shkak të angazhimeve nuk ka mundur të merr pjesë në takimin e banorëve, në të cilin ka qenë i ftuar, por shtoi se drejtoria është duke punuar që të gjejë një zgjidhje.
“Po e shikojmë mundësinë që nxënësit e shkollës së mesme t’i vijojnë mësimet në objektin e ri, ndërsa nxënësit e ciklit të ulët të vijojnë mësimet në objektin e shkollës së mesme”, ka theksuar Shemsedini duke pohuar se po kërkohet zgjidhje për këtë shqetësim të banorëve të fshatit Gjonaj, të Prizrrenit.
Deri në fillimin e vitit të ri shkollor kanë mbetur edhe katër ditë dhe mbetet të shihet nëse do të gjendet zgjidhje për shqetësimin e banorëve të fshatit Gjonaj./Ndertimi.info/