Aktuale
Banorët e Çikatovës së Vjetër: Pronat tona do t’i mbrojmë edhe me jetë

Komuna e Drenasit ka njoftuar banorët e Çikatovës së Vjetër, të lagjeve “Morina” dhe “Makolli”, se “Ferronikeli” ka të drejtën e shfrytëzimit të ngastrave kadastrale të lagjes “Morina” dhe “Makolli” të Çikatovës së Vjetër, pasi që AKP-ja ka konfirmuar se ato i janë shitur “Ferronikelit” me procedurë të likuidimit më 15.06.2006. Por banorët po e kundërshtojnë një gjë të tillë.
Është tensionuar tej mase situata në mes të banorëve të Çikatovës së Vjetër dhe Komunës së Drenasit, si dhe të kompanisë “Ferronikeli” rreth pronave të banorëve të lagjes “Morina” dhe “Makolli” të Çikatovës së Vjetër, të cilat “Ferronikeli” pretendon se janë të vetat dhe është përpjekur disa herë, madje edhe me Polici, të hyjë dhe t’i shfrytëzojë për nxjerrje të xehes së niklit.
Banorët e Çikatovës së Vjetër kanë bërë fajtore Komunën e Drenasit për shkak se, siç kanë thënë ata, “pronat e tyre ia kanë shitur ‘Ferronikelit’”. Ata nuk kanë lejuar në disa raste që menaxhmenti i kompanisë “Ferronikeli” të presë drutë në malin, që pastaj do të eksploatohej për xehe. Së fundi atje në pronat e çikatovasve ka shkuar me Polici edhe një kompani për prerje të drunjve, e cila ka hasur në rezistencë të banorëve. Ata kishin dalë me gra e me fëmijë në mbrojtje, siç patën thënë, “të pronave të të parëve të tyre”, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Situata kishte përfunduar në atë mënyrë që komandanti i Stacionit të Policisë në Drenas kishte kërkuar nga menaxhmenti i “Ferronikelit” që t’i tërheqë punëtorët nga mali i cili është ngjitur me minierën e niklit, si dhe nga banorët që të kthehen në shtëpitë e tyre derisa të sqarohet situata.
Situata është acaruar edhe më shumë
Por situata është acaruar edhe më shumë tani kur Komuna e Drenasit ka njoftuar banorët e këtij fshati se AKP-ja ka konfirmuar se pronat u janë shitur autoriteteve të “Ferronikelit” me procedurë të falimentimit në qershorin e vitit 2006. Ky njoftim i Komunës së Drenasit ka nxitur reagimin e menjëhershëm të banorëve, por edhe të disa prej asamblistëve të Kuvendit të Drenasit.
“Komuna e Drenasit ndien për obligim të sqarojë qytetarët e Komunës, veçanërisht banorët e fshatit Çikatovë e Vjetër, se Komuna e Drenasit është marrë me shqetësimin e banorëve të këtij fshati, duke takuar disa herë banorët e lagjes ‘Morina’ dhe ‘Makolli’, si dhe ka adresuar me kohë në instancat shtetërore shqetësimin e tyre. Pos takimeve që ka mbajtur, më datën 15.04.2019, Komuna e Drenasit i është drejtuar me kërkesë për informacion në lidhje me ngastrat kadastrale të ndërmarrjes së ‘Ferronikelit’ në Drenas, të lagjes ‘Morina’ dhe ‘Makolli’ nga Çikatova e Vjetër, tek Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në Zyrën Ligjore të këtij institucioni. Pas dërgimit të kërkesës për informacione nga Komuna e Drenasit lidhur me ngastrat kadastrale të lagjes ‘Morina’ dhe ‘Makolli’ Agjencia Kosovare e Privatizimit, më datën 19.04.2019, ka kthyer përgjigje lidhur me këtë shqetësim. AKP-ja në përgjigje ka sqaruar se më datën 15.06.2006, me vendim të Bordit të Agjencisë, ka shkuar në procedurë të likuidimit dhe në pajtim me Nenin 43.3 të Rregullores së UNMIK-ut çdo person i cili ka pasur pretendime për ndonjë të drejtë ose çfarëdo kërkese ndaj kësaj ndërmarrjeje, ka pasur të drejtë të paraqesë atë në procedurë të likuidimit deri më 26.09.2006 e nëse nuk paraqitet një kërkesë e tillë nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në ndarjen e fondeve të fituara nga likuidimi. Kundër vendimeve të autoritetit të likuidimit palët e pakënaqura kanë pasur të drejtë ankese në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Me këtë informatë zyrtare janë njoftuar banorët e lagjes ‘Morina’ dhe ‘Makolli’ të fshatit Çikatovë e Vjetër, ndërmarrja e NEWCO ‘Ferronikelit’, Stacioni Policor në Drenas, Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas, si dhe Drejtoria e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës në Komunën e Drenasit. Komuna e Drenasit zotohet dhe do të jetë e përkushtuar që ta mbrojë pronën e secilit person fizik ose juridik në Komunën e Drenasit”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Komunës së Drenasit për banorëve e lagjeve “Morina” dhe “Makolli” të Çikatovës së Vjetër.
Gashi: Marrja e tokave është e papranueshme
Në anën tjetër, banorët e Çikatovës së Vjetër ia kanë tërhequr vërejtjen Komunës së Drenasit se nuk do të rrinë duarkryq dhe se do t’i mbrojnë me të gjitha mjetet pronat e tyre. Ata janë shprehur tejet të pakënaqur me njoftimin, por edhe me veprimet e Komunës së Drenasit lidhur me pronat e tyre, të cilat, siç thonë ata, ‘Ferronikeli’ dhe Komuna duan t’ua marrin pa kompensim”.
“Me njoftimin e datës 26.04.2019 nga Komuna e Drenasit gjoja se ka për obligim t’i njoftojë banorët e fshatit Çikatovë e Vjetër, përkatësisht të lagjeve ‘Morina’ e ‘Makolli’ në lidhje me pronat për privatizim, po e dëshmon edhe një herë se Komuna e Drenasit nuk është në shërbim të qytetarëve, përkatësisht të fshatit Çikatovë e Vjetër, por në shërbim të interesave të caktuara të individëve dhe të kompanive të caktuara në Drenas. Ne si bashkëfshatarë dhe si fshat nuk do të qëndrojmë duarkryq, por do të ndërmarrim hapa konkretë për të mbrojtur interesin kolektiv të fshatit tonë, përkatësisht do t’i mbrojmë pronat tona të trashëguara brez pas brezi”, kanë thënë me një zë banorët e këtij fshati.
Ndërkaq një i ri, Argjend Morina, nuk ka hezituar ta akuzojë Komunën e Drenasit se ka dalë në krah të “Ferronikelit” e kundër banorëve të vet.
“Është turp i madh për Komunën që të dalë kundër banorëve të vet. Ne do t’i mbrojnë pronat tona, nëse do të jetë nevoja edhe me jetë. Nuk lejojmë që ato të na i marrin”, ka siguruar ai.
Ka reaguar edhe asamblisti Petrit Gashi, i cili ka vlerësuar se marrja e tokave të banorëve të Çikatovës së Vjetër pa kompensim është e papranueshme.
“Çikatova e Vjetër ka qenë vatër e rezistencës kundër armiqve, ka qenë çerdhe e çlirimtarëve dhe ka qenë vuajtja e pashlyeshme për lirinë e Kosovës. Në këtë fshat, që gjendet fare pranë Drenasit, ku qytetarët flenë mbi pasuri dhe nuk kanë punë ku të punojnë, ku qytetarët vuajnë nga papunësia e dëshpërimi dhe nuk kanë ku të ankohen dhe me e keqja, përsëri po përjetojnë njërën nga vuajtjet e radhës, ‘mbrojtjen e tokave të tyre nga politikanët biznesmenë’, siç duket edhe kësaj radhe ishte në cak të sulmit. Në njërën nga seancat e Kuvendit Komunal në Drenas kam kërkuar zgjidhje për këtë problem dhe kam kërkuar që qytetarëve të këtij fshatit të mos u merret toka me dhunë, por t’u kompensohet në bazë të një marrëveshjeje mirëkuptimi mes banorëve. Askush nuk mund ta marrë tokën e stërgjyshërve të tyre pa dëshirën e tyre, prandaj Komuna dhe qeverisja në Drenas duhet të jetë në krah të qytetarëve e jo t’i ndëshkojë ata, madje edhe me forca speciale”, ka thënë mes të tjerash asamblisti Gashi./Zeri
