Aktuale
Banorët do të protestojnë për rrugën në Tasligje, kompania e pranon që punëtorët e saj s’dinë t’i vendosin gurët
Rruga në lagjen “Tasligje” të Prishtinës është bërë sfidë për banorët. Ata thonë se punimet kanë nisur tash e gjashtë javë, por nuk ka bërë asgjë tjetër përveç shkaktimit të telasheve. Kjo rrugë ka mbetur pa kubet që kishte, për t’u shtruar me gurë. Për vonesat në shtrimin e rrugës, banorët e kësaj lagjeje po paralajmërojnë edhe protesta.
Tash e gjashtë javë kanë filluar punimet e rrugës në lagjen “Tasligje”, mirëpo banorët po thonë se aty nuk po punohet. Madje ata thonë se gjendja e rrugës është më e keqe tani se në kohën kur ishte e parregulluar.
Bekim Sahiti, banor i Tasligjes, ka thënë për Gazetën Express se është bërë i vështirë kalimi nëpër rrugën e cila ka mbetur pa u punuar.
“Qe gjashtë javë kanë nisë punimet por nuk janë duke u zhvilluar. Punëtorët nuk vijnë, por edhe kur kanë ardhë i kanë lënë mjetet e punës në mes të rrugës, duke e vështirësu qarkullimin tonë. Një shi i vogël kur bjen, pusetat çohen”, ka thënë Sahiti.
Ai ka treguar se para se të filloheshin punimet, kjo rrugë ka qenë e shtruar me kocka, por ato janë larguar për t’u kryer punimet të cilat nuk po kryhen.
“Rruga ka qenë me kocka, i kanë largu kockat dhe i kanë vendosë disa trotuare, në disa pjesë i kanë vendosë e në disa jo. Disa më poshtë disa më lartë, e kanë ngushtu rrugën, pa kurrfarë plani. Kjo është rrugë kryesore, i lidh tri Tasligjet, vetëm Tasligjja 4 i ka më shumë se 200 shtëpi”, ka treguar Sahiti për Express.
Se punimet janë ndërprerë e pranojnë edhe nga kompania e kontraktuar. Zyrtarë të kompanisë “Rexha shpk” i kanë thënë Expressit se ndërprerja e punimeve është bërë për shkak gurëve që do të vendosen në këtë rrugë e që punëtorët e tyre nuk po dinë t’i vendosin.
“Qe 6-7 ditë s’ka ma shumë që s’jemi duke punuar aty. Puna është ndërpre për shkak të gurëve, e kemi marrë dikë prej jashtë me i vendosë gurët, për shkak se ekipi ynë që ka pasë me i vendosë gurët nuk po dinë. Rruga është me gurë, jo me asfalt. Ne jemi brenda planit, nëse nuk bie shumë shi, brenda javës mund të përfundojë”, ka thënë Esat Rexha nga kjo kompani.