Aktuale
Banka Botërore u tërhoq nga “Kosova e Re” për shkak të çështjes mjediore dhe sociale

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) organizoi diskutimin “Tërheqja e Bankës Botërore nga investimet në thëngjill”, ku me këtë rast Haki Abazi bashkëthemelues i KOSID tha se tërheqja e BB-së nga përkrahja financiare për projektin “Kosova e re”, është vendim i qëlluar dhe mjaft me rëndësi.
Abazi ka thënë se alternativa për prodhimin e energjisë do të ishte investimet në energji të ripërtërishme dhe shfrytëzimi i interkonjeksionit me Shqipërinë.
“Prodhimet e energjisë me thëngjill janë të dëmshme për ambientin dhe qytetarët”, tha Abazi, duke shtuar se TC Kosova A mbetet ndotësi më i madh në Evropë, shkruan Ksp.
Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, theksoi se sa i përket ndotjes së ambientit nga “Kosova B” ekzistojnë fondet prej 78 milionë euro për ndërrimin e filtrave, por sipas tij, KEK-u nuk po arrijë ta procedoj këtë projekt për shkak të procedurave tenderuese.
Ai tha se nga Ministria e Ambientit janë dhënë të gjitha pëlqimet mjedisore kompanisë “Contour Global” për ndërtimin e “Kosovës së Re”.
Qytetarët e Obiliqit theksuan se kanë paditur Ministrinë e Ambientit për pëlqimin e dhënë dhe për këtë kompani amerikane, ndërsa, ministri tha se nuk është në dijeni për këtë veprim.
“Pëlqimi mjedisor është i rregulluar, dhe dua ta ftoj gjykatën që ta trajtojë këtë padi kundër Ministrisë me urgjencë”, tha Matoshi.
Ndërsa, Viktor Berisha, tha se ka shkelje ligjore për dhënien e pëlqimit për çështje mjedisore kompanisë “Contour Global”.
Sepse sipas tij, nuk është shqyrtuar kjo çështje në debate publike dhe askush prej shoqërisë civile nuk ka qenë i njoftuar për debat publik.
Ndërsa të ftuar në këtë panel kanë qenë edhe përfaqësues të “Contour Global” dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, por nuk i janë përgjigjur ftesës.
