Aktuale
Banka Botërore jep 14.3 milionë euro për investime kapitale dhe reforma në MTI,

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka pritur sot drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë, Marko Mantovanelli, dhe zëvendësin e tij Diego Martin.
Sipas njoftimit për media nga ky takim, ministri Hasani u dakordua më Mantovanellin që të nisë jetësimin e projekt-kredisë me Bankën Botërore “Rritja e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport”.
Kjo kredi kap vlerën e 14.3 milionë euro, që do të financohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore, që është një fond për vendet me nevoja të mëdha për zhvillim.
Kredia e Bankës Botërore do t’i prekë tri komponentë kryesore: Investime kapitale në laboratorët teknikë të Infrastrukturës Kombëtare të Cilësisë , Reforma e inspeksioneve në Kosovë si dhe grande mbështetëse për ndërmarrjet eksportuese kosovare.
Ministri Hasani informoi drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë, Mantovanelli , se si do të jetësohet kredia dhe i siguroi se do të ketë transparencë të plotë të procesit.
“Do të më keni mbështetje të plotë dhe nuk do të ketë asnjë pengesë ose neglizhencë në implementimin e projektit. Po ashtu procesi do të jetë shumë transparent dhe llogaridhënës”, tha Hasani.
Bëhet e ditur se ata diskutuan edhe për reformat gjithëpërfshirëse të sistemit të inspektimeve, që u konsiderua si projekt shumë i rëndësishëm.
Po ashtu u shpalosën objektivat që i ka ministria, që nëpërmes kredisë 14.3 milionë euro, të ketë veprime konkrete në përmirësimin e tri fushave, ku edhe është paraparë që kredia të implementohet.
Mantovanelli tha se është koha kur mund të nisë implementimi i kredisë, që, sipas tij, MTI-ja ka punuar shumë që t’i zërë të gjitha afatet e përcaktuara.
“Është koha kur ne mund të fillojmë implementimin e kredisë. Shpresojmë se do ta kalojmë këtë objektiv”, tha Mantovanelli.
Kredia do t’i ndihmojë Agjencisë Kosovare të Metrologjisë, Agjencisë së Standardizimit dhe Drejtorinë e Akreditimit për t’u kualifikuar për të nënshkruar marrëveshjet për njohje me Komitetin Ndërkombëtar të Peshave dhe Masave dhe Forumit Ndërkombëtar për Bashkëpunim-Akreditim të Laboratorëve.
