Aktuale
Banesat e dëmtuara në Durrës: Nisin riparimet në ndërtesat e para 1993
Në Bashkinë e Durrësit kanë nisur riparimet në ndërtesat e para viteve 1993 të cilat kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, ashtu edhe riparimet në banesat private.
Emirjana Sako, Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Publike në Bashkinë Durrës, bëri të ditur se paralelisht me fazën e ri-ndërtimit, Bashkia e Durrësit ka nënshkruar një marrëveshje dhe me Universitetin Politeknik, me qëllim për të marrë sugjerimet më të mira për ndërtimet në të ardhmen dhe për riparimin apo shembjen e ndërtesave të cilësuara si të rrezikshme nga inspektimet e kryera deri tani. “Bashkia e Durrësit ka një marrëveshje me Rektoratin e Universitetin Politeknik për objektet që kanë dëme të mëdha të nivelit “Ds5”, sipas kategorizimit të aktit të konstatimit të inspektimit të kryer. Është ngritur një grup pune nga universiteti që po inspekton këto grup objektesh, për të vlerësuar nëse këto objekte duhen shembur, apo mund të riparohen.
Po ashtu, inspektimi është fokusuar edhe te objektet e larta, për të dhënë një akt më të specializuar teknik dhe sugjerime, përshembull sugjerime për analiza sizmike, apo shpim gjeologjik dhe pas këtij raporti do të vijojnë sugjerimet që do t’i jepen ndërtuesve me qëllim për të përmirësuar ndërtimet dhe me qëllim që këto vlerësime të merren në konsideratë dhe nga ndërtuesit për t’i bërë pjesë të lejes së ndërtimit që këto ndërtues duhet të dorëzojnë në bashki”-, tha Sako.
Duke folur për riparimet, Sako bëri të ditur se ka nisur faza e riparimeve të ndërtesave të para viteve 1993. “Riparimet e volga kanë nisur nga vetë qytetarët në zonat e qendrës së qytetit, ku dhe dëmet kanë qenë më të mëdha.
Po ashtu dhe përmes ndërmarrjes sonë “Rruga” është nisur puna për riparimin e objekteve të dëmtuara të para vitit 93’. Kjo fazë po realizohet me ekipet e ngritura nga ndërmarrja jonë “Rruga Bashkia Durrës”-, nënvizoi Sako. Bashkia e Durrësit në datën 10 dhjetor vendosi çeljen e 100 vendeve të punës në ndërmarrjen “Rruga” për të shtuar fuqinë punëtore në kuadër të fazës së riparimit të ndërtesave të para vitit 1993’ të dëmtuara nga tërmeti i 26-nëntorit. Sa i takon ndërtesave të pas vitit 1993’ në Bashkinë Durrës deri më tani numërohen 3 leje ndërtimi të dhëna dhe një mbi dhjetë në fazë vlerësimi./ata