Aktuale
Bahtiri me ultimatum për kompanitë – kabllot mbitokësore i do nën tokë deri në fund të vitit

Një njoftim për media i Komunës së Mitrovicës, thotë se kryetari Agim Bahtiri, “është i vendosur dhe shumë i përkushtuar që në qytetin e Mitrovicës të ketë rend dhe rregull”.
E kësaj radhe, ai ka nisur një letër te kompanitë, që kabllot mbitokësore t’I vendosin nën tokë.
“Pas rregullimit të bukur të qendrës së qytetit, asfaltimit të rrugëve në qytet dhe zëvendësimit të gypave të ujësjellësit, kryetari Bahtiri ju ka dërgua një letër të gjitha kompanive publike dhe private, që shërbimet e tyre për qytetarë i ofrojnë përmes kabllove mbitokësore. Përmes kësaj letre, nga kompanitë që ajo u është dërguar kërkohet që kabllot mbitokësore t’i vendos nën tokë. Kompanitë që ofrojnë shërbime të këtilla përmes kabllove mbitokësore, janë të obliguara që deri në fund të këtij viti, ato t’i vendosin nën tokë. Ndaj kompanive që nuk e respektojnë këtë kërkesë, do të ndërmerren masa përkatëse nga autoritetet komunale, duke ua pamundësuar kryerjen e shërbimeve të këtilla”, thuhet në njoftim.
Kryetari Bahtiri thotë se është investuar dhe po investohet shumë në rregullimin e mjedisit dhe infrastrukturën e qytetit, kështu që deri tash janë rregulluar bukur sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit, janë në asfaltim e sipër edhe shumë rrugë të tjera.
“Por, unë besoj se vitin e ardhshëm do të duket akoma më e bukur dhe qytet që i ngjason atyre evropiane, pasi që të hiqen të gjitha kabllot mbitokësore, të cilat po ia zbehin bukurinë qytetit dhe po paraqesin rrezik për qytetarë. Kompanitë që ofrojnë shërbime me kabllo mbitokësore, doemos ato duhet t’i vendosin nën tokë deri në fund të këtij viti. Nëse ato nuk veprojnë kështu, atëherë do të veprojë Komuna për t’i larguar gjithsesi”, thotë kryetari Bahtiri.
