Arkitekturë
Babai që ndërtoi shtëpizën fantastike të lojërave për dy vajzat e tij [foto]

Një vështrim i shpejtë në foton më lart – një shtëpi e vogël me një verandë të madhe, derë të stilit të fshatit dhe saksi me lule që varen – mund t’iu bëjë të besoni se kjo është një shtëpi ku jeton një familje, por është në fakt shtëpiza më mbresëlënëse e lojërave që kemi parë ndonjëherë.
Adam Boyd nga Highland i Michiganit ka shfrytëzuar kohën e tij të lirë dhe vikendet për të ndërtuar këtë shtëpizë fantastike të lojërave për dy vajzat e tij, Avery (5) dhe Violet (2).

Boyd që udhëheq me ATB Building Inc. përdori ekspertizën e tij të ndërtimit për të krijuar strukturën e kësaj shtëpize.
Shtëpiza që është e lartë mbi 7 metra ka një mur për ngjitje, rrëshqitëse dhe lisharëse jashtë saj, dërrasë të zezë ku mund të
shkruash me shkumës, papafingo dhe një kuzhinë të vogël, brenda.
Kjo shtëpizë nga druri për lojëra ka gjithçka që një fëmijë mund të ëndërrojë.
“Nëse dashuria do të ishte një ndërtesë, kështu do ta ndërtoja atë. Kjo është shtëpiza për lojëra që kam ndërtuar për princeshat e mia të vogla, në oborrin e shtëpisë tonë”.

Shumë shpejt pasi babai i vogëlusheve shpërndau fotografitë e shtëpizës për lodra që ai ndërtoi në Facebook, postimi i tij u bë viral dhe mori rreth 47.000 shpërndarje.
“Do të doja që ta bëj një gjë të tillë për një familje tjetër që ta shijojë këtë gjë”, ka shkruar ai.
Pikërisht këtë ai planifikon ta bëj në të ardhmen.
Pas gjithë komenteve që mori postimi i tij, Adam u inspirua që ta krijojë një kompani që mund të ndërtojë shtëpiza të ngjashme për lojëra.
Të gjithë prindërit që duan të krijojnë shtëpiza të tilla të lojërave për fëmijët në oborret e shtëpisë së tyre, mund ta angazhojnë tashmë kompaninë Spoiled Rotten Homes.

Derisa Adam është shumë i kënaqur me të gjitha komentet pozitve që ka marrë projekti i tij, gjëja më e mirë për të mbetet koha që ai ka kaluar me vajzat e tij.
Tani, vogëlushet e tij e kanë vendin ideal për festat e tyre me miqtë, për lojërat e tyre dhe pa dyshim edhe për të kaluar kohën me prindërit e tyre.
“Shumë njerëz, përfshirë familjet dhe miqtë, kanë menduar se isha i çmendur që po bëja këtë gjë që kam bërë, por unë jam shumë i kënaqur me rezultatet e kësaj pune”.
“Jam shumë i lumtur kur shoh vogëlushet e mia që luajnë në këtë shtëpizë të lojërave. Ia ka vlejtur secili cent që kam shpenzuar për këtë shtëpizë e cila do të jetë aty përgjithmonë, në oborrin e shtëpisë tonë”.
