Aktuale
Avaria e vjetme zvarrit përfundimin e objektit shkollor në Pejë
Shpërthimi i një gypi uji dhe rrëshqitja e dheut nga të cilat vjet ka pësuar dëme themeli i objektit të shkollës së muzikës, kanë zvarritur punimet, ndaj ato parashihen të mbarojnë më 2020.
Deri tash kanë përfunduar vetëm punët e vrazhda të objektit dykatësh dhe këtë muaj pritet fillimi i fazës së dytë të punimeve, për të cilat është përzgjedhur operatori, shkruan sot “Koha Ditore”.
“E kemi shpallur tenderin për fazën e dytë. E kemi përzgjedhur operatorin fitues dhe jemi në proces të nënshkrimit të kontratës. Vlera e kontraktuar është diku rreth 600 mijë euro”, thotë menaxheri i Zyrës komunale të Prokurimit, Xhemë Berisha, për këtë projekt të financuar nga arka komunale, i cili sipas dinamikës parashihet të përfundojë në fund të dhjetorit të vitit 2019.
E derisa të ndërtohet objekti, drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, thotë se nxënësit vazhdojnë mësimin në hapësirat ku janë dhe në momentin kur përfundon objekti i ri barten në shkollën e re. “Në janar të vitit 2020 shpresojmë që do të hapet, por nëse nuk arrijnë të kryhen të gjitha punët në objekt, atëherë gjithsesi do të hapet në shtator të vitit 2020”, thotë Avdimetaj.
Kostoja e lartë e fazës së dytë të këtij projekti sipas tij është për shkak të izolimit special për zërim që duhet ta kenë muret e shkollës, që të mos i pengojnë njëri tjetrit nxënësit kur luajnë në instrumentet muzikore.




