Aktuale
Lekaj i përgjigjet Haradinajt: Autostarada “Arbën Xhaferi” hapet më 29 maj

Në pyetjen e kryeministrit për afatin e përfundimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, ai ka marrë përgjigje nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, se inaugurimi i kësaj rruge është planifikuar të ndodhë më 29 maj.
Njëkohësisht është thënë se për përmbushjen e obligimeve të pagesave nga ministria, është duke u përgatitur raporti i cili do të prezantohet para kabinetit qeveritar shumë shpejt.
Se kjo autostradë do të hapet së shpejti ditë e parë e bëri të ditur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pa pritur që zyrtarisht Ministria e Infrastrukturës ta tregojë këtë.
“Edhe pak ditë na ndajnë nga përurimi i autostradës “Arben Xhaferi”. Një kryevepër tjetër për qytetarët tanë, e filluar në vitin 2014, me urën më të gjatë në rajon dhe me bukurinë e rrallë të bjeshkëve të Sharrit. Kjo është Kosova e re evropiane”, kishte shkruar ai.
Kjo autostradë pati nisur në korrik të 2014-ës, e që është e gjatë 60 kilometra dhe kushton 600 milionë euro.
Në anën tjetër, kjo autostradë nuk u përfundua siç ishte planifikuar në fillim. Vonesat u shkaktuan edhe për shkak se Qeveria e Kosovës nuk kishte bërë pagesat me kohë ndaj “Bechtel & Enka”-s. E, kjo i ka kushtuar buxhetit të shtetit. Tashmë shteti duhet t’i paguaj kësaj kompanie hiç më pak se 53 milionë dëmshpërblim.
Gjatë ndërtimit të kësaj autostrade nuk shkoi gjithçka siç është më së miri, edhe për punëtorët. Në vitin 2017 Tafil Tafallari gjeti vdekjen derisa ishte duke punuat në ndërtimin e kësaj rruge, që shkurton distancën mes Prishtinës dhe Shkupit. Puna në terren të pa përshtatshëm kishte bërë që në fshatin Kovaqec Tafallari të vdes.
E, problem, si pasojë kësaj autostrade kishin edhe banorët përreth zonave ku zhvilloheshin punimet. Po në fshatin Kovaqec shumë shtëpi ishin rrezikuar si pasojë e rrëshqitjes së dheut, duke detyruar që disa edhe të zbrazën.
Derisa Tafallari kishte vdekur, kolegë të tij kishin mbetur të lënduar, terrene të tjera të punës për këtë autostradë. Në tetor të viti të kaluar një trar kishte rënë nga ura më të gjatë në Ballkan, që është pjesë e kësaj autostrade. Në këtë aksident kishte të lënduar, e Përparim Sadiku kishte mbetur i varur të një lartësi qindra metra për rreth dy orë.
Kjo urë, në të cilën ndodhi aksidenti, është e gjatë rreth 6 kilometra. Në këtë urë janë vendosur mbi 1400 trarë të prodhuara në vend, në dimensione nga 35 deri në 45 metër të gjatë; Janë vendosur rreth 165 shtylla, lartësia e të cilave varion nga 3 metra deri në 80 metra.
