Aktuale
Autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë: Banorët ankohen që nuk janë kryer shpronësimet
Shiu që ka rënë ditët e fundit në Kosovë, ka penguar kompanitë që të fillojnë normalisht punimet në autostradën Prishtinë – Dheu i Bardhë. Megjithatë, në këtë autostradë po punohet me dinamikë të shtuar dhe pritet që punimet të përfundojnë sipas afatit të caktuar.
Aktualisht po punohet në hapjen e trasesë nga Lipjani e që do të vazhdojë deri të Dheu i Bardhë.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka cilësuar se dinamika e punimeve është duke ecur sic duhet. Ai po ashtu ka shtuar se tashmë është duke përfunduar procesi i shpronësimit. Kjo autostradë parashihet të jetë e një rëndësie të madhe pasi që lidhë Prishtinën dhe Anamoravën.
“Ne po planifikojmë që ta kryejmë autostradën Banullë- Bresalcë 22 km, këtë segment para kohe. Diku kah shatori ose nëntori do të hapen procedurat e tenderimit për pjesët tjera që do të bëhen edhe dy kyçje për Gjilan, atëherë do të vazhdojmë në vitin 2021 për në Dheun e Bardhë”, tha Kadriu.
Por, ndryshe mendojnë banorët e Zhegocit, të cilët thonë se është shkatërruar toka bujqësore , pa u pyetur fare banorët dhe pa u bërë shpronësimi, puna po zhvillohet, toka po shkatërrohet e kompensim për to nuk ka.
“I ka shkatërru një pjesë të livadheve, arave e tokës. Na e kemi fillu një peticion para dz jave vec jemi në përfundim. Dikund afër 200 nënshkrimi i kemi mbledhë dhe do t’ia dërgojmë ministrit të infrastrukturës”, tha një banorë i këtij fshati.
Adem Sylejmani, ka mbjellë 6500 trupa molle dhe mbi 80 mijë fidane, nuk është shpronësuar e as nuk do ta lirojë pronën.
“Tash ka ardhë momenti, unë qitu i kom ndërpre sepse unë kom investu afër 100 mijë euro në pemishte, vendimin nuk ma kanë dërgu, shpronësimin nuk e kanë bë edhe nuk i lejoj me hi. Po ta them të drejtën edhe dy-tri ditë kam për ti pritë e prej të hënës kam më ia nisë me i trajtu pemët. Sepse ni trajtim më kushton deri në 1000 euro, nëse i trajtoj deri në 5-6 herë deri në vjeshtë më nuk i lejoj për me hi”, tha Sylejmani.
E, edhe inxhinieri i njërës kompani kontraktuese pr këtë autostradë thotë se problemi për mos shpronësimin e tokave po u sjellë probleme të mëdha.
Dinamika e punimeve nuk është në nivelin e duhur. Plantacioni i molla na pengon punimet sepse e përgjysmon trasenë tonë edhe e vështirëson qarkullimin e kamionëve për deponi. Kjo e zgjatë rrugën trefish, raporton rtv21.
Kjo autostradë vjen e gjatë 22.6 kilometra dhe me katër kursi dhe parashihet të përfundojë brena 30 muajve. Qeveria deri tash ka garantuar 87 milionë euro të pjesës së parë të projektit. Prishtina në vitin 2023 do të jetë e lidhur me të gjitha zonat.