Aktuale
Auditori gjen vonesa në realizimin e projekteve kapitale në Suharekë
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/10/suhareke.jpg)
Komuna e Suharekës ka pasur dobësi në menaxhimin administrativ të pronës gjatë viti 2018, ndryshime për pozicionet e caktuara në realizimin e projekteve si dhe zgjatje të kohës së realizimit të projekteve kapitale.
Këto janë të gjeturat e zyrës Kombëtare të Auditmit për vitin e kaluar, raporton Ndërtimi.info.
Auditori ka gjetur se në tri raste tatimpaguesit nuk ishin faturuar sipas zonave, respektivisht rregullores. E, sipas zyrtarëve, mos përditësimi i sistemit ka ndodhur meqë nuk është azhurnuar me kohë sistemi me rregulloren. Madje, sipas këtij raporti Komuna ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave- departamentin e tatimit në pronë që të azhurnohet sistemi konform rregullores dhe ligjit të tatimit në pronë.
Mirëpo, nga e gjithë kjo ZKA-ja ka paraparë rrezik.
“Mangësitë e identifikuara ndikojnë në vlerësimin jo të saktë te të dhënave në sistemin e tatimit në pronë, e cila njëkohësisht reflekton edhe tek arkëtimi i të hyrave të komunës dhe realizim më të ulët të projekteve që priten të financohen nga të hyrat komunale”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Në mënyrë që situata të përmirësohet, ZKA-ja rekomandon kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj që të rishikoje funksionimin e kontrollit në këtë fushë, duke siguruar, që të përditësohet me kohë sistemi nga zyrtaret e tatimit në pronë në bashkëpunim me Departamentin e Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, që të dhënat në sistem lidhur me tatimin në pronë të azhurnohen të vlerësohen dhe menaxhohen bazuar në rregulloren e tatimit në pronë.
Auditori gjithashtu ka gjetur se te projekti “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore” në vlerë 47,247€, gjatë realizimit të punëve (fusha sportive) ka pasur ndryshime nga pozicionet e parapara me projekt. Megjithatë, çmimi në total i kontratës nuk është tejkaluar.
Arsyeja e ndryshimi i pozicioneve se fillimisht nuk ishte bërë paramasa e duhur, po ashtu edhe nuk ishte marrë pëlqimi paraprak nga banorët para se të përgatitet paramasa. Si pasojë, sipas kërkesave të banorëve, është dashtë të ndërrohen pozicionet, ndonëse vlerat nuk janë materiale, procedurat e ndryshimeve janë vendosur jo përmes prokurimit dha aprovimit.
Mirëpo, këto ndryshime mund të sjellin rreziqe për projektin.
“Ndryshimet nga specifikat e kontratës, mund të ndikojnë që punët në realizimin e kontratës të mos jenë të përshtatura me kërkesat e projektit dhe të mos merret vlera për para”, thuhet në raportin e ZKA-së.
ZKA rekomandon që njësia kërkuese fillimisht të bëjë vlerësimin e nevojave për ekzekutim të punëve e pastaj të hartojë projektin (paramasën), po ashtu ndryshimet në pozicione të bëhen duke aplikuar procedurat e prokurimit.
Ndër të tjera, Auditori ka gjetur se në tri projekte kapitale të kësaj komune ka pasu vonesa në realizim. Bëhet fjalë për projektin “Instalimi dhe sanimi i ndriçimeve publike (Shiroke, Sopije, Mushtisht, Bllace, Studenqan dhe Samadraxhë); “Ndërtimin e rrugës Moholan – Stravuqin” dhe projekti “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”.
Sipas raportit të ZKA-së, vonesat në realizimin e projekteve dhe hyrja në obligime kontraktuale pa analizuar mirë projektet dhe kushtet për kryerje të punëve, rrezikon tej zgjatjen e realizimit të projekteve. Po ashtu, mund të rezultojë me dështim të projektit dhe mos arritjen e objektivave komunale, duke ndikuar në proceset buxhetore të projekteve tjera.
Për këtë ZKA-ja ka një rekomandim për kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj.
“Kryetari duhet të ndërmerr masat për forcimin e kontrolleve lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontratës, si dhe zgjidhjen e çështjeve pronësore dhe administrative (marrjen e lejeve përkatëse) para fillimit të punimeve, në mënyrë që mos të ketë ndërprerje të punimeve dhe projektet të realizohen sipas planit dinamik”, ka reko manduar ZKA-ja.
Në anën tjetër, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Komuënë e Suharekës që të të bëj plkanifikim adekuat të buxhetit , të vlerësohen nevojat reale të komunës me qëllim që të bëhet një planifikim adekuat i buxhetit dhe të eliminohen gabimet në klasifikimin e shpenzimeve nëpër kategori përkatëse ekonomike. Po ashtu, të konsideroj si prioritet çështjen e menaxhimit të pasurisë, përkatësisht regjistrimin e plotë të pasurisë, e cila do të reflektohet drejt edhe në paraqitjen e PVF.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)