Aktuale
ATK-ja mblodhi 381.9 milionë euro
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), deri më tani ka arritur të mbledh 381.9 milionë euro ose 91% e planit për këtë vit.
Sakip Imeri drejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, tha në këtë vit nga janar deri në nëntor 2017, ka rritje të të hyrave që është rezultat i ngritjes së nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, punës së palodhshme të zyrtarëve të administratës tatimore, modernizimit të shërbimeve tatimore dhe rritjes së komunikimit me tatimpaguesit.
“Trendi i të hyrave ka shënuar rritje për 22.7 milionë euro ose 6.3 % më shumë, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjte me vitin e kaluar, ku deri më tani janë inkasuar të hyra në vlerë prej 381.9 milionë euro ose 91% e planit për këtë vit”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas tij viti 2017 në përgjithësi ATK-ja, ka pasur shumë sukses dhe sfida të ndryshme. Ai bëri me dije se janë rritur të hyrat nga pensionet “Bizneset po vazhdojnë të kontribuojnë në buxhetin e shtetit, industria e ndërtimit ka rritje”, tha ai. Teknologjia ka bërë që të ketë efekt edhe në deklarimin elektronik të tatimpaguesve.
‘Ne jemi shuam të kënaqur me vlerësimet e raporteve ndërkombëtare, si ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar, UNDP-së dhe Komisioni Evropian, të cilat kanë vlerësuar se ATK po shënon progres të vazhdueshëm në realizimin e objektivave strategjike dhe operative”, tha ai.