Aktuale
Astrit Salihu thotë se objekti i ish-Gërmisë nuk vlen asgjë

Lokacioni i ndërtimit të Sallës Koncertale në objektin e shtëpisë së mallrave ish-Gërmia e cila tani gjendet në shfrytëzim të Administratës Tatimore të Kosovës ka nxitë debate nga komunitete e ndryshme.
U bënë grupacione të ndryshme, disa kërkojnë me këmbëngulje që ky objekt të ruhet si vlerë e trashëgimisë kulturore, e për disa të tjerë ky objekt nuk ka kurrfarë vlerë dhe si i tillë duhet të rrënohet për t’i hapur rrugë ndërtimit të Sallës Koncertale.
Që ky objekt nuk vlen më asgjë po e thotë edhe Astrit Salihu ish-kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës dhe ish-këshilltari i Presidentit të tanishëm Hashim Thaçi.
Salihu, njëherit profesor i jashtëm në Departamentin e Filozofisë, thotë se ndonëse nuk është kundër ndërtimit të një Salle Koncertale, ka rezervat e veta sa i përket vlerës që ka shtëpia e mallrave në aspektin e identitetit të Prishtinës. Kështu ka thënë ai në debatin e djeshëm të organizuar nga Shoqata e Arkitektëve të Kosovës për këtë çështje.
Ndërkohë, Salihu me pozicionin e tij prej indiferencës ka thënë se objekti i shtëpisë së mallrave ish-Gërmia nuk vlen asgjë dhe nuk i vlen askujt, e që më e mira e kësaj do të ishte që të shfrytëzohen mjetet dhe aty të projektohet Salla Koncertale, shkruan Ndërtimi.info
“Të ju them të drejtën unë i kuptoj edhe arkitektët që përpiqen që në një formë të ruajnë trashëgiminë e modernizmit në Prishtinë. Natyrisht kam edhe rezervat e mia për ata që konsiderojnë që shtëpia e mallrave ish-Gërmia është pjesë e identitetit të Prishtinës, sepse unë nuk i marrë në konsideratë identitetet e fiksuara sidomos jo në objektet e tilla qysh ka qenë shtëpia e mallrave. Pavarësisht vlerave të saj arkitektonike, mund të diskutojmë e debatojmë edhe për ato. Atë që e konsiderojë si zgjidhje të mesme, përmes ideneferncës po flas se nuk jam as për e as kundër. Në ato që kemi ne sot në objektin e shtëpisë së mallrave unë mendoj që ai objekt nuk vlen më asgjë. Unë mendoj se ai objekt nuk vlen për asgjë. Nuk i vlen askujt. E mira e së mirës është që të shfrytëzohen mjetet që i kemi në dispozicion, që po na i ofron bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që mu në atë lokacion të projektohet një Sallë Koncertale e cila do të kapte disa momente asociative të atij objekti që ka qenë”, u shpreh ai.
Debati i mbajtur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka përfunduar pa ndonjë konkludim a sugjerim. Ndërkohë gjatë ditës, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në rrjete sociale ka shkruar se shpronësimi i “Gërmisë” është bërë për adaptimin e saj për Sallë Koncertale, duke ruajtur stilin arkitektonik si pjesë e memories, sipas kërkesës së komunitetit të artistëve.
