Aktuale
“Asphalt Piloten” në sfidë me arkitekturën e qyteteve
Janë një grup jo shumë i njohur nga Zvicra me një emër të pazakontë “Asphalt Piloten”, por performacat e tyre duken të jenë më sfiduese sesa që mund të mendohet. Koreografja zvicerane, Anna Anderegg, është prej atyre artistëve që përpiqen të vënë një dialog mes trupit njerëzor dhe habitatit urban.
“Tape Riot” është një performancë, që së jashtmi bën bashkë valltarë, lëvizje të improvizuara dhe një puls elektronik. Por ato kuptimësohen vetëm kur i ndajshtohen peizazhit urban, shkruan sot “Koha Ditore”. Është thënë se arkitektët dhe planifikuesit e qyteteve vizatojnë rrugët tona të zakonshme, të tilla çfarë mbetën në hartën mendore gjatë gjithë jetës.
Dikur shkrimtari italian Dino Buzzati shkruante se gjatë gjithë jetës së njeriut ka objekte që lidhen me shtëpinë e fëmijërisë sonë, por që mbeten gjithnjë të pavizituara nga ne. Por “Tape Riot” duket se e provon të kundërtën e novelistit italian.
Duke iu përgjigjur ftesës së Festivalit të Artit në Hapësirë Publike (HAPU), që u mbajt gjatë gjithë javës së dytë të korrikut, artistët e “Asphalt Piloten” e bënë Prishtinën pjesë të hartës së projektit që ka bërë xhiron në qytete gjithandej botës si Hanoi, Philadelphia, Kopenhagë, e të tjera.
Dramaturgjia që bashkon rrugë e mure
Si një përvojë e veçantë e artit teatral e shpalosur përmes vallëzimeve dhe tingujve, performanca për një moment krijoi hapësira të reja në Prishtinë.
“Kam mbresat më të mira nga banorët e Prishtinës. Ne patëm një audiencë aq të ngrohtë, kurioze, respektuese dhe të interesuar, sa i gjithë ekipi mbeti i prekur”, tha në rrëfimin e saj Anna Anderegg.