Aktuale
Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës kundër ndërtimeve tek Fakulteti Teknik
Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka njoftuar se është kundër ndërtimeve tek Fakulteti Teknik. Sipas tyre këto degradime janë duke u bërë për interesa të atyre që janë familjarë të kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti.
“Ne jemi kundër ndërtimeve tek fakulteti teknik.
Ne jemi pro zonave gjelbëruese.
Degradimi i kryeqytetit është duke u bë për interesa të ngushta nëpërmes të të ashtuquajturëve planer dhe arkitekt e që janë familjarë të kryetarit dhe i përkasin klanit të ish drejtorit të urbanizmit Lulëzim Nixha si kryedegraduesi i kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Arkitektëve.
Komuna e Prishtinës para disa ditësh ka ftuar qytetarët, që të marrin pjesë me datën 11 nëntor, kur do të prezantohet Plani Rregullues për Zonën e Fakultetit Teknik, në lagjen “Bregu i Djellit”. Prezantimi do të mbahet në Sallën e Modelariumit në Fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë.
““Njoftohet i gjithë publiku se Universiteti I Prishtinës, përkatësisht Katedra e Planifikimit dhe Urbanizmit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës janë në procedurë të hartimit të Planit Rregullues të Hollësishëm për ‘ZONËN TE FAKULTETI TEKNIK, NË LAGJEN BREGU I DIELLIT’. Në mënyrë që ky dokument të jetë i zbatueshëm, i qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe transparent, do të organizohet një prezantim i këtij dokumenti”, thuhet në njoftimin e Komunës.



