Aktuale
Asnjë kompani në Zonën Ekonomike në Frashër

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri në një takim me përfaqësues të bizneseve, që kanë përfituar pronë në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër, ka thënë se të gjithë atyre që nuk u përmbahen premtimeve dhe kontratave do t’u merret prona e dhënë në ZLR në Frashër. Bahtiri premton se projekti në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër do të përfundojë në vitin 2019, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Asnjë kompani deri më tani nuk ka filluar të punojë në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës.
Madje fabrikat që kanë përfituar tokë në këtë zonë nuk kanë filluar as të ndërtohen, përveç asaj “Bunjamini” të Mitrovicës, e cila ka filluar të ndërtojë në shtatorin e vitit 2016.
Por, edhe Komuna e Mitrovicës ka ngecur në ndërtimin e infrastrukturës bazike, pasi që përveç rrymës në Zonën e Lirë Ekonomike ende nuk ka ujë, ndërsa edhe rruga nuk është asfaltuar në tërësi, shkruan më tutje “Zëri”.
Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka takuar përfaqësuesit e kompanive që kanë përfituar tokë në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër për të biseduar me gjendjen aktuale, në veçanti për infrastrukturën, pa të cilën edhe nuk mund të kryhet asnjë punë e as të funksionalizohet Zona Ekonomike.
Bahtiri tha se ka dashur të takohet me pronarët e bizneseve përfituese për të vlerësuar gjendjen reale në hapësirën e Zonës Industriale, për të mësuar nga ata se ku qëndrojnë me investimet e premtuara për realizim në tokën komunale që u është dhënë nga Komuna, si dhe për të parë se cilat janë pengesat ose problemet eventuale dhe çka mund të bëjë Komuna për ta.
“Unë sa u përket obligimeve të Komunës lidhur me Zonën Industriale mund t’ju them se kemi punuar mjaft dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale që ato t’i kryejmë sa më shpejt. Deri më tani në Zonë e kemi sjellë rrymën elektrike, këto ditë do ta sjellim edhe ujin, një pjesë e rrugës është asfaltuar, ndërsa që do të asfaltojmë edhe tërë rrugën përreth hapësirës ku do të vendosen bizneset”, siguroi kryetari Bahtiri.
