Aktuale
Askush s’po merret me familjet në barakat ku do jetë parkingu nëntokësor, Komuna heshtë

Komuna e Prishtinës me vite të tëra mbushi me shpresa e premtime familjet të cilat nuk patën rrugë tjetër veç strehimit në barakat në një qoshe të oborrit të Fakultetit Filologjik, por megjithatë në zemër të kryeqytetit.
Shkruan: Shkëndije Ahmeti
Barakat e metalta, të ndryshkura e të shkatërruara nuk po i plotësojnë as kushtet më elementare të banimit. Të tjerat nga betoni dergjen të lodhura aty prej dekadash. Telat e rrymës të vendosur vend e pa vend e të shpërndarë nëpër oborr po ua rrezikojnë jetën banorëve sa herë që po bie shi. Por, me fatin e tyre nuk u morr askush. Kështu kanë treguar vetë banorët, duke mos dashur të ju përmendet emri.
Megjithëkëtë, Komuna e Prishtinës ka bërë edhe planin për ndërtimin e parkingut nëntokësor, që do të përfshijë edhe zonën ku janë të vendosura barakat. Por, nuk dihet fati i rreth 15 familjeve që janë strehuar në to, raporton Ndertimi.info.
Komuna për një javë nuk ka kthyer asnjë përgjigjie në adresë të Ndërtimi.info. E vetmja gjë që u tha nga zyra e informimit ishte që: “po kemi një plan për trajtimin e tyre, por nisna një e-mail dhe ju përgjigjemi”.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinë nuk takuan asnjërin nga banorët, deri në ditën që ne ishim atje për të folur me ata.
Banorja Gylaj Ademi (47) gjithçka që din, është nga ajo që kuptuar nëpërmjet lajmeve.
“Me neve nuk ka biseduar komuna, edhe pse mendoj që ata duhet të na kenë parasysh, nuk munden me na lënë neve rrugëve”, tha ajo.
Ademi ka treguar se familja e saj banon aty tash e 50 vite. Madje ajo rrëfeu edhe për premtimet që iu ishin bërë për çdo pranverë.
“Nuk më ka bërë përshtypje plani për projektin e parkingut nëntokësor. Dhe a di pse? Se ne që 50 vite jemi këtu, unë jam 47 vjeçare dhe prindërit para meje janë ardh dhe problemi është se për çdo pranverë edhe në Jugosllavi kanë thënë se këtë pranverë kemi me ju largu prej këtu, ja këtë pranverë. Janë ndërtuar ndërtesat. Së pari na patën propozu që me na dërgu në Orlloviq por ne nuk kemi pas pranu, e dyta këto ndërtesat e Llesnës për neve janë ndërtuar. Masnej janë ndërtu banesat në Breg të Diellit, e kanë pa që shumë të mira i kanë marr ja kanë nis me i shit. Dhe kështu që për neve deri tash nuk ka pas zgjidhje” rrëfeu Ademi.
E lodhur prej premtimeve nga viti në vit, Ademi vitin e kaluar me para të bamirësve rinovoi barakën e saj.
Përkundër gjithë kësaj ajo po beson që Komuna e Prishtinës do t’iu bëjë zgjidhje por që varet nëse zgjidhjet e komunës do t’iu konvenojnë. Meqë siç theksoi, nuk do të pranojnë që të merren nga “zemra e qytetit” e të vendosen në pereferi.
“Mendoj që ka me pas zgjidhje edhe për neve, por varet se ku ne dojna, e jo ata ku duan. Se nuk kanë drejtë me na marrë prej ‘zemrës’ së qytetit e me na largu. Se normal se qysh është me Ligj edhe qiraxhi me qenë ajo bëhet pronë e jotja, e jo na që 50 vite jemi këtu”, tha ajo.
Pa dyer më poshtë, në korridorin që të jep një lloj frike dhe paradoksi se si mund të gjendet një diçka e tillë në zemër të Prishtinës, edhe një tjetër banor tregoi që askush prej komunës nuk ka biseduar me ta.
“Kurgjo askush nuk ka fol me neve. Moti është paraparë, me vjet e me vjet. Badihava fol me Komunën edhe pse me fol. Po apet shteti duhet me na rehatu”, tha ai duke theksuar që nuk do pranojnë gjithçka çka komuna do të “servojë”, por që emri nuk dëshironte t’i dihej.
Nëse dy persona mund ta kenë gabim, atëherë edhe i treti e konfirmoi se komuna nuk është dukur gjëkundi për të folur me ta. Nga viti 1978 edhe një banore kalon çdo ditë të jetës në ato baraka, e që thotë se komuna nuk ka qarë hallin e tyre.
“Askush asgjë nuk na ka lajmëru e as nuk ka fol me neve. As ata nuk kanë ardh as ne nuk kemi shku te ta. Te komuna kam qenë para 7 viteve. Unë aspak s’po du më me shku se ata nuk kanë qare pa e bërë një zgjidhje dhe ne nuk kemi me pranu çfarëdo qare që na bënë komuna. Ne jemi këtu prej ‘78-ës. Paraprakisht ata duhet me na lajmëru ndonjë gjë”, përfundoi banorja.
Në anën tjetër, më 14 gusht drejtori për Planifikim Startegjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota në një konferencë për medie ka treguar se ndërtimi i parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik do të kushtojë 12 milionë euro.
“Vendodhja e këtij parking do të jetë tek Filologjiku me 500 vendparkingje. Ku do të kushtojë 12 milionë euro dhe pritet të bëhet brenda 18 muajsh. Këtu do të përzgjedhim kompani për këtë. Njëherë do të jetë kërkesa për kualifikim. Pastaj kualifikimet minimale teknike, kualifikimet minimale financiare. Janë paraqitur gjashtë kompani dhe tani jemi në fazën e përzgjedhjes. Kah fundi i nëntorit do të kemi kompaninë me të cilën do të lidhim kontratën me komunën”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se deri tashti janë paraqitur 6 kompani që janë në garë për kualifikim. “Në muajin nëntor të këtij viti pritet të nënshkruhet kontrata me operatorin për ndërtimin e këtij parkingu, proces i cili pritet të zgjasë 18 muaj”, ka theksuar Bashota./Ndërtimi.info/
