Aktuale
Ashensori bie nga 84 kat, të bllokuarit rrëfejnë ngjarjen

Nga rënia e ashensorit në njërin prej rrokaqiejve më të lartë në Çikago, i quajtur “875 North Michigan Avenue” shpëtuan gjashtë persona që ndodheshin brenda, prej tyre edhe një grua shtatëzënë. Për shkak të shkëputjes së kabllos, ashensori ra nga kati i 84-të derisa tek në katin e 11 zjarrëfikësit arritën t’i shpëtonin personat që ishin bllokuar për orë të tëra në ashensorin e prishur.
Departamenti i Zjarrfikësve në Çikago tregon se kablloja e ashensorit është shkëputur duke shkaktuar aksidentin teksa shpëtimin e të bllokuarve e konsideron shumë sfidues pasi që ishte shumë e vështirë të hapej ashensori, transmeton Ndërtimi.info.
Për rastin kanë folur edhe të lënduarit të cilët në ato momente ishin frikësuar se po vdisnin.
Jaime Montemayor për një medie lokale amerikane ka rrëfyer momentin kur e kanë kuptuar se janë bllokuar në ashensor.
“Në fillim besoja se do të vdisnim. Ne ishim duke zbritur dhe pastaj kam ndjerë se jemi duke rënë poshtë ” ka thënë Jaime Montemayor për WBBM-TV.
Montemayor, i cili ishte në një udhëtim pune me bashkëshorten e tij Mana, tregoi se kishin përjetuar çaste paniku dhe ishin lutur gjatë tërë kohës për të shpëtuar.
E bashkëshortja e Montemayor tregoi se kishte vënë re grimcat e pluhurit të hyjnë në ashensor dhe aty e kishte kuptuar se diçka nuk ishte në rregull.
“E dija se diçka nuk ishte në rregull. Askush nuk u lëndua por është dashur të kalojë një kohë mjaft e gjatë, madje orë të tëra teksa zjarrëfikësit të mbërrijë”, është shprehur ajo.
Tre ashensor do të mbyllen për t’u riparuar dhe mirëmbajtur si dhe shumë të tjerë do të vazhdojnë të hetohen për shkaqe të sigurisë./Ndërtimi.info/
